Idrizi: Ligji ia njeh të drejtën në pronë të gjitha grave pa dallim

Nehat Idrizi, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ka thënë se numri i padive të grave që kërkojnë të drejtat e tyre pronësore është rritur por tregoi se pjesa dërmuese e tyre janë të punësuara. Por, sipas Idrizit, ligji që vlen për gratë e punësuara vlen edhe për ato të papuna.

“me Ligjin (për Familjen) edhe gruaja që është amvise, kujdeset për ushqimin, hekurosjen, fëmijët, ka të drejtë të kërkojë ndarjen e pasurisë së përbashkët”, tha ai.

Megjithatë kryesuesi i KGjK ka thënë se ka prindër që i paraprijnë ndarjes së barabartë për fëmijët e tyre.

“Kemi raste kur prindërit sa janë gjallë ia ndajnë vetë edhe vajzave edhe djemve pasurinë”, u shpreh ai.

Idrizi po ashtu tha se ende ka ngecje të mëdha dhe paragjykim të padrejtë të grave që e kërkojnë të drejtën e tyre ligjore.

“Kemi emancipim të konsiderueshëm të grave… Por, bëhet fjalë për qasjen e grave në pronë gratë mbeten akoma subjekt i paragjykimit apo diskriminimit”, u shpreh ai.

Ai tha se e drejta zakonore(tradicionale) i vendos gratë në pozitë të ulët.

“Në praktikë për fat të keq këto të drejta fatkeqësisht mohohen…Ato janë të detyruara të heqin dorë”, tha Idrizi.

Ai tha se duhet të ngritet vetëdija për të drejtën e grave në pronë.

“Ka nevojë që të kemi tryeza më të shumta, një promovim… në mënyrë që nëse cenohen ato të mund t’i kërkojë në bazë ligjit, kushtetutës dhe konventave”, u shpeh ai.

Idrizi tregoi se ka pasur raste kur gratë në gjykata janë përballur me shtyrje të seancave, sjellje të pahijshme dhe këshillim për të hequr dorë nga e drejta në pronësi. Ndërsa, shtoi se për shkelje disiplinore janë hapur 11 raste për shkelje etike në KGjK.

Ndërsa, Altin Ademi, këshilltar politik i ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se procedura për ndryshimin e ligjit në këtë fazë është e pazakontë por tha “si kabinet i ministrit Tahiri themi se asnjë prej kompleksiteteve tona… nuk mund të jenë pengesë në çështjet e trashëgimisë”.

Ademi shtoi se fusha e trashëgimisë paraqet edhe zhvillim ekonomik, ndërmarrësi dhe qasje e barabartë.