Hulumtimi: Raportet Kosovë - Serbi 'në prag të luftës'

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka mbajtur konferencën e cila pati për qëllim lansimin e gjetjeve të Barometrit Kosovar të Sigurisë – Edicioni Special mbi Politikën e Jashtme dhe Dialogun me Serbinë.

Hulumtimi ka treguar se Shqipëria mbetet aleati më i madh i Kosovës me 70 përqind të respondentëve që kanë thënë se raportet Kosovë- Shqipëri i shohin si “shumë miqësore”, ndërsa mbi 85 përqind e respondentëve e shohin Serbinë si shtet “shumë armiqësor ndaj Kosovës” përderisa Serbia është listuar edhe si kërcënimi më i madh i jashtëm ndaj Kosovës.

Raporti thotë se raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë “në prag të luftës”.

Drejtori Ekzekutiv i QKSS, Florian Qehaja, tha se politika e jashtme e Kosovës nuk duhet të shihet si elitare në përfaqësimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë.

“Politika e jashtme nuk duhet parë më si elitare për shkak se këto gjëra duhet të reflektojnë edhe te pala kosovare. Ka një çrregullim kur NATO-ja komenton për ekonomi e ndërsa BE për ushtrinë. Kosova nuk ka ndonjë pozitë të qartë euroatlantike përderisa ka një qasje të tillë të akterëve ndërkombëtarë ndaj Kosovës. Ne e kemi pasur edhe rastin e INTERPOL-it përderisa nuk u votuam nga shtetet të cilat mund të shohin edhe të mira prej neve”, ka thënë Qehaja.

Donika Emini nga QKSS ka prezantuar barometrin kosovar të sigurisë, “Dekonstruktimi i perceptimeve publike- Politika e jashtme e Kosovës dhe dialogu me Serbinë”.

“Në raport janë përfshirë edhe shtetet siç janë Bosnja dhe Serbia, këto dy shtete, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, nuk kanë asnjëherë hezitim për të lobuar që ta ndalojnë Kosovën në shumë gjëra, edhe pse Bosnja është një temë që nuk është diskutuar shumë, por ndikimi i saj është parë gjithmonë aty ku Kosovën nuk ka mundur ta ndalojë Serbia për shkak të agjendës së saj. Ndikimin e Bosnjës e kemi parë edhe kur ishim në INTERPOL.

Gjithashtu edhe Shqipëria dhe ajo përkrahja që i ka dhënë ky shtet edhe pse nuk ka dhënë rezultate konkrete por ka krijuar te populli një ndjenjë të përkrahjes me bashkëpunimin bilateral.

SHBA ka qenë vendi i parë në sferën globale si partner strategjik dhe është konsideruar si vend mik dhe influenca e SHBA është parë shumë pozitive sidomos me transformimin e FSK në ushtri dhe shihet si vend, i cili mund të bëjë për Kosovën atë që nuk mund ta bëjë BE.

Edhe Gjermania shihet si aleati kryesor politik brenda BE, gjithashtu edhe ekonomik sidomos me hapin e fundit që ka marrë ky shtet me dhënien e vizave të punës për kosovarët dhe është vendi i parë që i ka hapur dyert për profesionistët e Kosovës.

Marrëdhëniet me Turqinë janë perceptuar si aleat me Perëndimin, duke qenë pjesë e NATO-s, kurse në rastet e tjera është parë si “alternativë tjetër” për shkak të marrëdhënieve të turbulluara të kohëve të fundit me rastin e deportimit të gylenistëve”, ka treguar Emini.

Ndërsa Agon Maliqi nga Sbunker ka komentuar barometrin e publikuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë duke thënë se Kosova gjendet në një udhëkryeq të orientimeve sa i përket ndërkombëtarizimit.

“Në këtë udhëkryq të orientimeve varet nga ne dhe njëra pjesë nga thyerjet ndërkombëtare që po ndodhin. Kosova mbetet pro perëndimore, pro evropiane, por ka ardhur koha që duhet ta ndërrojmë këtë qasje për shkak se kjo nuk varet nga ne.

Kosova mbetet atlanticiste për shkak të dy vendeve, SHBA dhe Gjërmania, të cilat janë dy vendet aleate të Kosovarëve. Roli i SHBA në politikën e brendshme shihet më pozitiv se sa ai i Turqisë. Kosova e sheh veten pro perëndimore por e ka gati të pamundur ta shoh veten brenda BE”, tha Maliqi.

“Gjithashtu rritja e perceptimit pozitiv me Malin e Zi dhe Maqedoninë ka filluar të reflektojë në aspektin pozitiv në Kosovë. E sa i përket Serbisë mbetet një sfidë e madhe me e sigurisë për Kosovën”, tha Maliqi.

Ndërsa Maliqi ka shtuar se presidenti mbetet ende i paevitueshëm në këtë proces të dialogut edhe pse qytetarët kanë mosbesim të thellë se ai mund ta çojë përpara këtë dialog si i vetëm.

Maliqi po ashtu ka thënë se vendimi për vizat është më i rëndësishmi sa i përket raporteve të Kosovës me BE.

“Vendimi mbi vizat ka qenë i rëndësishëm dhe më i rëndësishmi dhe ky vendim mund të merret duke i neglizhuar vendet mosnjohëse, perceptimi i qytetarëve është sepse ata e shohin si ndëshkim direkt për qytetarët duke i parë si të padëshiruar ata në BE, dhe besimi i Kosovës ndaj BE është zbehur totalisht”, ka shtuar Maliqi.