Agon Maliqi. Foto: Facebook

Qëndrimi i Serbisë ndaj Kosovës ‘po dëmton serbët e Kosovës’

Analisti politik Agon Maliqi shprehet se politikat e Beogradit ndaj Prishtinës po dëmtojnë serbët që jetojnë në Kosovë, të cilët do të shihen si një “kërcënim sigurie” për sa kohë Serbia vazhdon pretendimet e saj për atë territor.

 

Qëndrimi negativ i autoriteteve serbe ndaj Kosovës “i bën serbët e Kosovës të perceptohen si elementë anti-shtet” brenda vendit, tha Agon Maliqi, një analist politik nga Prishtina, në një intervistë për BIRN.

Derisa të normalizohen marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës, kjo situatë do të vazhdojë, paralajmëroi Maliqi, redaktori i S-Bunker, një faqe interneti me analiza politike dhe opinione.

“Marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë nuk mund të jenë në asnjë mënyrë normale për aq kohë sa Serbia pretendon ndonjë të drejtë ose sovranitet mbi territorin e Kosovës, pasi kjo gjithmonë do të shihet si një kërcënim ekzistencial i sigurisë. Për më tepër, serbët e Kosovës gjithmonë do të shihen si një element anti-shtet”, tha Maliqi.

Serbia kundërshton me forcë pavarësinë e Kosovës dhe ka bërë shumë përpjekje për të bindur vendet e vogla të heqin dorë nga njohjet e tyre të Kosovës, si dhe duke bërë fushata të fuqishme kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Maliqi e përshkroi gjendjen aktuale si “jashtëzakonisht të dëmshme” për pakicën serbe në Kosovë.

“Kjo jep pretekstin e përsosur për ata që nuk duan të integrohen dhe të ndihmojnë pakicat që thjesht t’i shpërfillin ato”, tha ai.

Serbia nuk ka pranuar ta njohë Kosovën që kur ajo shpalli pavarësinë në vitin 2008, por ka pasur raunde të ndryshme bisedimesh midis dy vendeve, më i fundit prej të cilëve filloi në 2013, me ndërmjetësim nga Bashkimi Europian, që synojnë normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës.

Megjithatë, Maliqi argumentoi se ky “normalizim i marrëdhënieve” është në të vërtetë “bisedë diplomatike që do të thotë njohje e drejtpërdrejtë ose e tërthortë e Kosovës nga Serbia si një shtet, që do të vinte paralelisht me zgjidhjen e shumë mosmarrëveshjeve bilaterale që vijnë nga shkëputja e Kosovës”.

“Por unë nuk mendoj se normalizimi nënkupton diçka si marrëdhënie të mira ose harmoni, thjesht krijimin e parakushteve për marrëdhënie normale shtet-shtet që nuk janë kërcënuese”, paralajmëroi ai.

“Procesi i pajtimit do të duhet të jetë një proces shoqëror më kompleks dhe më gjithëpërfshirës, ​​një proces ndërtimi paqeje, duke përfshirë masat për të rishikuar përmbajtjen e librave të historisë, trajtimin e krimeve të luftës dhe njerëzve të zhdukur, etj”, shtoi ai.

Aparati shtetëror “ngulit nacionalizmin”

Larg dialogut politik të nivelit të lartë midis Serbisë dhe Kosovës, Maliqi thotë se procesi i normalizimit “në teori” mund të zhvillohet nga nisma nga poshtë-lart që përfshijnë edhe njerëz të thjeshtë, por që kjo është “praktikisht e pamundur në llojin e shoqërive ku ne jetojmë”.

“Këto përpjekje janë të dobishme dhe të domosdoshme, por mbeten margjinale në një kontekst ku jo vetëm nacionalizmi, por edhe ksenofobia mbetet thellësisht e ngulitur dhe distanca etnike midis shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës është e madhe”, tha ai.

“Elitat politike do të donin ta ruanin atë në të njëjtën mënyrë, qoftë si një mjet për të ruajtur pushtetin, por edhe që të ruajnë monopolin e tyre mbi marrëdhëniet në sytë e fuqive të huaja. Një aparat i tërë shtetëror – nga shkollat ​​deri te media – është përdorur për t’i mbajtur gjërat ashtu siç janë”, shtoi ai.

Ka edhe një pengesë tjetër që i pengon serbët dhe shqiptarët të komunikojnë . kjo është pengesa gjuhësore. Shumica e njerëzve nga një grup etnik nuk e flasin gjuhën e tjetrit.

“Ne nuk mund t’i qasemi njëri-tjetrit në nivelin shoqëror dhe kështu nuk mund ta humanizojmë tjetrin. Unë jam skeptik se ndonjë gjë e madhe mund të ndodhë vërtet nga poshtë-lart dhe nëse do të ndodhë, ky do të jetë një proces që zgjat me dekada”, tha Maliqi.

“Tani për tani, qasja nga poshtë-lart do të kufizohet në kufijtë e shoqërisë civile dhe sferës së kulturës, dhe mënyra e vetme që unë e shoh këtë lloj procesi të rëndësishëm në planin afatshkurtër dhe të mesëm është të punohet për t’u siguruar që gjërat të mos përkeqësohen në një konflikt tjetër”, shtoi ai.

Ai sugjeroi e përpjekjet për t’u përballuar me të kaluarën duhet të përfshijnë të folurën hapur për krimet e luftës, pezullimin e autonomisë krahinore të Kosovës dhe të imponimit të sundimit të drejtpërdrejtë nga Beogradi nga presidenti serb Sllobodan Millosheviq në vitin 1989 dhe atë që ai e quajti “aparteid i viteve nëntëdhjetë” në Kosovë , kur shtypja nën Millosheviqin u rrit.

Ai tha gjithashtu se duhet të ketë diskutim të hapur për “dehumanizimin sistematik të shqiptarëve që nuk filloi me presidentin aktual serb Aleksandër Vuçiq dhe tabloidin serb Informer, por që nisi që në fillim të viteve tetëdhjetë”.

“Ndoshta atëherë njerëzit do ta kuptojnë pse shqiptarët, madje edhe ata të moderuarit, përfundimisht u detyruan të tërhiqeshin pas ose të mbështesnin Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, tha ai.

Ai u shpreh se në tabloidet serbe dhe rrjetet sociale, shqiptarët ende “portretizohen si kafshë të egra agresive dhe kurrë asgjë më shumë sesa thjesht kriminelë”.

“Kjo i ka rrënjët e saj intelektuale në shumë autorë nacionalistë serbë deri te shkrimtari dhe ish-presidenti i Jugosllavisë Dobrica Çosiq, i cili shkroi në librin e tij ‘Koha e gjarpërinjve: Shënimet e një shkrimtari 1999-2000’ për shqiptarët si ‘frika sociale, politike dhe morale e Ballkanit fisnor, barbar – të cilët ishin bërë aleatë me SHBA-në dhe BE-në në luftën kundër kombit më demokratik, të civilizuar, më të iluminuar të Ballkanit – serbët’”, tha Maliqi.

Ai argumentoi gjithashtu se racizmi ndaj shqiptarëve gjithashtu mund të dëshmohet në bashkëveprimet me serbët më të moderuar dhe më liberalë, por që “shpesh është delikate dhe jo e drejtpërdrejtë”.

“Duke thënë të gjitha këto nuk po them që niveli i urrejtjes ndaj serbëve nuk është i njëjtë në mesin e shqiptarëve. Kjo është po aq reciproke. Thjesht ai nuk e ka atë ton superioriteti apo racist dhe sigurisht që nuk është aq i përhapur në media”, shtoi ai.

Përballja me të kaluarën e largët

Sipas mendimit të Maliqit, serbët duhet të shohin më tej historinë sesa historinë e luftës së viteve 1990 apo ardhjen në pushtet të Sllobodan Millosheviqit për t’u përballur si duhet me të kaluarën.

“Druhem se Serbia do ta ketë të vështirë të bëjë paqe me të kaluarën pa e shkatërruar plotësisht mitin e Kosovës dhe pa ri-interpretuar narrativën që justifikon sundimin dhe pretendimet e saj mbi Kosovën që nga rënia e Perandorisë Osmane”, tha Maliqi.

Kosova ka luajtur kohësh ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol të fortë simbolik në kujtesën kolektive të serbëve. Ajo ishte pjesë e Serbisë mesjetare, por u mor nga Perandoria Osmane në fund të shekullit të 15-të. Serbia rimori kontrollin mbi Kosovën gjatë Luftërave Ballkanike të fillimit të shekullit 20-të, vetëm për ta humbur atë përsëri si rezultat i luftës së viteve 1998-1999.

“Ajo duhet të fillojë nga kjo pikënisje të pyesë nëse ai moment (rimarrja e Kosovës në fillim të shekullit 20-të) ishte një moment çlirimi, apo në të vërtetë i okupimit dhe kolonizimit të asaj që ishte atëherë një territor me shumicë shqiptare, i justifikuar në bazë të një mitologjie nacionaliste”, sugjeroi Maliqi.

“Arsyeja pse unë shkoj kaq larg në të kaluarën është sepse pretendimi mitologjik mbi Kosovën është ai që instaloi idenë që shqiptarët në një farë mënyrë “ia morën Kosovën Serbisë” dhe nën këtë pretekst, të gjitha krimet dhe padrejtësitë e së kaluarës janë të justifikuara”, shtoi ai.

Përveç shtypjes politike në Jugosllavi para dhe gjatë sundimit të Millosheviqit, ndonjëherë kishte edhe luftëra të dhunshme politike të brendshme midis shqiptarëve të Kosovës, gjatë të cilave u kryen krime, theksoi Maliqi.

“Unë mendoj se komuniteti ndërkombëtar e shfrytëzoi këtë qasje jashtëzakonisht të gabuar dhe të ngushtë ndaj drejtësisë tranzicionale duke u përqendruar vetëm në dimensionin ndëretnik të konfliktit dhe duke lënë pas dore dinamikën dhe krimet e tjera para luftës në vitin 1999,” u shpreh ai.

“Ne nuk mund të trajtojmë seriozisht atë që ndodhi në vitin 1999 pa folur edhe për krimet e regjimit komunist jugosllav të cilat nuk janë zgjidhur”  shtoi ai.

Ndërkohë, sugjeroi ai, shqiptarët etnikë nuk e ndiejnë se duhet të shqetësohen për krimet kundër serbëve në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-1999 sepse Serbia nuk ka treguar pendesë për krimet e kryera nga forcat e saj.

“Me Serbinë tashmë në duart se nacionalistëve dhe të pa penduar për të kaluarën e saj, ekziston ndjesia se edhe ne nuk kemi nevojë të flasim për viktimat serbe të luftës”, tha ai.