Ramush Haradinaj. Foto: Kallxo.com

Haradinaj reagon për ushtarin serb të FSK-së të arrestuar në Serbi

Kryeministri Ramush Haradinaj shprehu sot brengosjen për një ushtar të FSK-së të komunitetit serb që është arrestuar nga autoritetet e Serbisë në Pikën Kufitare Konçul.

“Që nga dita e djeshme, ushtari i FSK-së, Milosh Shoshiq (i përkatësisë serbe), po mbahet i arrestuar nga policia serbe në vendkalimin kufitar në Konçul. Për këtë veprim shpreh shqetësimin tim dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, shkroi Haradinaj në facebook.

Arrestimin Haradinaj e konsideroi në kundërshtim të plotë me përpjekjet për integrim në institucionet kosovare të përfaqësuesve nga komuniteti serb.

“Kjo praktikë është në kundërshtim të plotë me të gjitha angazhimet që Qeveria e Kosovës, bashkë me bashkësinë ndërkombëtare, ka pasur në dy dekadat e fundit për integrim të plotë të komunitetit serb në institucionet e Kosovës”, shkroi më tutje Haradinaj.

Ai tregoi se “do t’i qëndrojmë pranë familjes Shoshiq”.

Para disa ditësh shefi i Zyrës së Kosovës në Qeverinë e Serbisë Marko Gjuriq kërcënoi me dënime serbët që do t’i bashkohen FSK-së.

Në mars 2018 Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq u bëri thirrje serbëve që të mos bëhen pjesë e krijimit të Forcave të Armatosura të Kosovës.

http://kallxo.com/vuciq-serbet-te-mos-perfshihen-ne-krijimin-e-forcave-te-armatosura/

Në shkurt KALLXO.com shkroi për kërcënimet e një organizate serbe ndaj ushtarëve të FSK-së nga veriu i Kosovës.