Nga një seancë ku katër deputetët ishin në gjykatë | Foto: KALLXO.com

Haradinaj, Limaj e Mustafa mund të Dëshmojnë në Gjykimin për Lotsjellësin

Pasi deputetët e akuzuar dhe deputetët tjerë të Vetëvendosjes u përjashtuan nga seanca e sotme, njëra nga të akuzuarit për gazin lotsjellës në Kuvend Albulena Haxhiu, paralajmëroi dëshminë në këtë proces gjyqësor të Kryeministrit Ramush Haradinaj, por edhe të tjerëve.

“Ne kemi përgatitur një listë të dëshmitarëve ku në të përfshihet Ramush Haradinaj, Fatmir Limajt dhe Isa Mustafa, po ashtu komisionin aktual të demarkacionit, Shpejtim Bulliqi, pasi që është dëshmuar që Kosova ka humbur territor”, tha Haxhiu.

Deputetët e akuzuar, por edhe disa deputetë tjerë u larguan nga seanca pasi reaguan kur prokurori Valdet Gashi hoqi dorë nga thirrja e Kadri Veselit si dëshmitar.

Albulena Haxhiu foli para gazetarëve edhe për këtë çëshjtje.

“Ne insistuam edhe sot që Veseli te thirret me detyrim në seancë për të dëshmuar, mirëpo nuk na u lejua nga gjyqtari Kalludra që të insistojmë”, tha Haxhiu.

Faton Topalli, deputeti tjetër i akuzuar gjykatën e cilësoi të politizuar.

“Kjo gjykatë është e politizuar. Gjyqtari nuk lejoi pyetjet tona”, tha Topalli.

KALLXO.com shkroi sot për revoltimin e Faton Topallit që nuk bëri pyetje, pasi gjykata nuk lejoi dëshmitarin Armend Zemaj të përgjigjet në disa pyetje të të akuzuarve.

http://kallxo.com/faton-topalli-revoltohet-nuk-parashtron-pyetje/

Ai konstatoi se procesi gjyqësor po tentohet të mbahet larg mediave.

“U vërtetua edhe njëherë që ky proces gjyqësor përpiqet të mbahet jashtë mediave”, tha Topalli.

Edhe Albulena Haxhiu foli për moslejimin e shumicës së mediave në seancë.

“Ju kërkoj ndjesë qe gjyqtari Kalludra nuk ju lejon të përcillni seancën e sotme. Gjyqtari Kalludra ka vendosur që tinëzisht të vazhdojë seancën”, tha Haxhiu.

Kryetari i trupit gjykues Beqir Kalludra vendosi të përjashtojë thuajse të gjityha mediat nga seanca për shkak se transmetuan live seancën e kaluar.

KALLXO.com-it i është lejuar ndjekja e seancës, pa të drejtën e incizimit dhe publikimit të fotografive.