Ramush Haradinaj - 29.07.2019

Haradinaj i drejtohet Kushtetueses për ushtrimin e funksionit të kryeministrit pas dorëheqjes

Kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Ramush Haradinaj në një konferencë për media ka deklaruar se i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me situatën e krijuar pas dorëheqjes së tij.

“Unë kam dorëzuar në Gjykatë kërkesë për një interpretim të dorëheqjes sime. A nënkupton kjo dorëheqje apo jo një vazhdim të kujdestarisë së kryeministrit. Megjithatë për me qenë në anën e ligjit sot i kam dërguar Gjykatës Kushtetuese një kërkesë”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai tha se nuk do të pranojnë që ta lë vendin në kaos për shkak dorëheqjes së tij.

“Unë kam dhënë dorëheqje, një qeveri duhet me dal nga zgjedhjet por derisa të vjen ajo kush mban përgjegjësi për qeverisjen në vend, këtë s`po jep askush përgjigje. Unë nuk do ta lë vendin në kaos. Dorëheqja është vendim”, tha ai.

Në pyetjen nëse drejtimi i Haradinajt në Kushtetuese a mund të jetë ndërhyrje në shtyrjen e zgjedhjeve ai tha se “Jo, nuk bëhet fjalë të ndërhyrje në afatet kohore për zgjedhje, por të krijohet shembull për hera të tjera”.