Haradinaj flet për krijimin e një komune për goranët

Në shënmin e ditës së Goranëve, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka vizituar banorët në Brod të Komunës së Dragashit. 

Ai gjatë kësaj vizite ka thënë se goranët meritojnë të kenë komunën e tyre. 

“Krijimi i një komune të re, asaj të Gorës nuk është humbje për shqiptarët kudo që janë as në Opojë, as në Prizren apo diku, përkundrazi u mundëson këtyre njerëzve të jetojnë dhe t’i kenë mundësitë për jetë dhe jam përkrahës i një komune në Gorë që jeta të zhvillohet në mënyrën më të mirë të mundshme”, thuhet në njoftimin e dërguar nga zyra e kryeministrit. 

Ai ka thënë edhe se është i angazhuar që Qeveria e Kosovës të jetë e përfaqësuar nga të gjitha komunitetet. 

“Si Kryeministër i vendit, përtej asaj që është shkruar, jam angazhuar që Qeveria që drejtoj të jetë e përfaqësuar nga secili komunitet, që ata të jenë të ngarkuar me detyra, për të realizuar kërkesat dhe përmirësuar jetën e secilit qytetarë”, thuhet më tutje në njoftim. 

I pranishëm gjatë kësaj vizite ishte edhe deputeti nga radhët e komunitetit goran Adem Hoxha. 

Hoxha ka falenderuar kryeministrin për përkrahje të vazhdueshme.