Haradinaj: Është një vit i konsolidimit si shtet

Qeveria e Kosovës ka mbajtur një mbledhje solemne me rastin e 11-vjetorit të Pavarësisë.

Në një fjalim rasti, kryeministri Ramush Haradinaj tha se në këtë përvjetor sikurse secili qytetar ashtu edhe Qeveritë e vendit, pra edhe ajo e drejtuar prej tij, e ka rrëfimin e vet për 11 vjet shtet.

Si Qeveri, Haradinaj tha se me kujdesin më të madh janë marrë me të gjitha temat që janë ndodhur para Kosovës dhe me respektin më të madh për interesin e qytetarëve të vendit.

“Ka vendime të mëdha, si ai për Ushtrinë, për Trepçën, vendimet e tjera ekonomike…”, theksoi ai.

Ky vit, sipas Haradinajt, është një vit i konsolidimit si shtet, i përmbylljes së krejt temave të mbetura të hapura në planin rajonal e ndërkombëtar, përfshirë një marrëveshje për njohje obligative ligjore me Serbinë në kufijtë ekzistues.

“Jemi përballë me sfida, po përballemi aktualisht e do të sfidohemi në të ardhmen, por bindja ime është se Kosova nuk e ka luksin të bëjë hapa prapa, por vetëm hapa përpara. Këtë do t’ua kërkojmë dhe shpjegojmë miqve tanë  se hapat prapa e dobësojnë Kosovën dhe e dobësojnë besimin e qytetarëve në shtetin e tyre”, ka theksuar Haradinaj.

Ndërsa, pas pak minutash në oborrin e Qeverisë, para drejtuesve të institucioneve është zhvilluar ceremonia zyrtare e ngritjes së flamurit të Kosovës.

Kosova shënon sot 11-vjetorin e Pavarësisë.