Parakalimi i Ushtrisë së Kosovës

Njësitë e ndryshme të Ushtrisë së Kosovës po parakalojnë sot në Prishtinë në nderim të 11-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.

Kjo është hera e parë që Forcat e Sigurisë së Kosovës parakalojnë si Ushtri.

Kjo ndodh pak muaj pas votimit të tri ligjeve në Kuvendin e Kosovës, përmes të cilave FSK transformohet në Ushtri të Kosovës.

Në një fjalim rasti, me rastin e parakalimit të kuadrateve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, presidenti Hashim Thaçi, si shef i forcave të armatosura, ka thënë se FSK është krenaria e vendit, është dëshmia më e mirë e suksesit të shtetit tonë, të përparimit tonë.

“11 vite më parë kemi filluar së bashku rrugën. Sot kemi një ushtri profesionale multietnike e cila është në shërbim e mbrojtje të shtetit më të ri në Europë dhe botë. Ajo është e gatshme për të shërbyer kudo në botë”, tha Thaçi.

“Rrugëtimi ynë për ndërtimin e shtetit ka kërkuar mençuri, durim e urti. Na ka mësuar se kur të marrim vendime strategjike dhe kur duhet të bëjmë kompromise. Këtë vit duhet të marrim edhe një vendim tjetër strategjik për të ardhmen e vendit tonë. Duhet të marrim vendim paqësor me Serbinë. Jo për të harruar të kaluarën por mos të lejojmë që një gjë e tillë të ndodhur më”, shtoi presidenti, duke nënvizuar se populli i Kosovës kurrë nuk do të harrojë gjenocidin e Serbisë në Kosovë.

“Në rrugëtimin tonë të suksesshëm për shtetësi është partneriteti me bashkësinë ndërkombëtare në radhë të parë me SHBA e pastaj me BE. Ky partneritet është i bazuar në parime të përbashkëta. Sa herë kemi qenë të bashkuar në Kosovë me partnerët tanë kemi dalë fitimtarë. Edhe nëse vendimet ndonjëherë janë dukur të vështira e të rënda, historia ka treguar se kanë qenë të duhura për rrethanat”, theksoi presidenti, duke bërë thirrje për bashkim të spektrit politik në vend.