Haradinaj e thellon skandalin, i njofton edhe ambasadat për letrën e Blakajt

Kryeministri Ramush Haradinaj ka reaguar pas publikimit të letrës që ia kishte dërguar në shtator të 2016, ish prokurorit Elez Blakaj ku i kishte dhënë 30 ditë kohë të hetonte në zyrën e tij dhe në fund kishte kërkuar nga ai t’i raportojë mbi hetimet.

“Ish prokurori Blakaj ka ardhur në zyren time dhe ka kërkuar dy javë kohë për të zhvilluar hetimet në Arkivë. Me vullnet të plotë për të ndihmuar procesin, kam qenë në dispozicion për çfarëdo kohe, që ai e përcakton. Jemi dakorduar që pas 30 ditëve të ofrojë një raport me rrjedhën e hetimeve, specifikisht a ka pasur mundësi që të hetojë pa ndërhyrje, paanshmërisht dhe me integritet të plotë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Mirëpo në letrën e prokurorit Blakaj të cilin e prezantoi vet Kryeministri Haradinaj, nuk shihet që Blakaj ka kërkuar 2 javë kohë për të zhvilluar hetimet.

Këto letra Haradinaj thotë se ia ka dërguar ambasadorëve të akreditur në Kosovë dhe zyrtarëve të zyrave ndërlidhëse në Kosovë.

Në një deklaratë për KALLXO.com, prokurori përgjegjës për media në Prokurorinë Speciale të Kosovës, Sylë Hoxha, ka komentuar letrën e bërë publike ku kryeministri Ramush Haradinaj i përcaktonte afatin ligjor në të cilin prokurori Blakaj duhej t’i përfundonte hetimet në çështjen e veteranëve të UÇK-së.

“Na nuk i japim llogari as kryemnistrit e asnjë partie politike, por vetëm Këshillit Prokurorial dhe Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, eprorëve tanë”, deklaroi Hoxha për KALLXO.com.

Megjithatë, prokurori Hoxha refuzoi të komentoi nëse kërkesa e kryeministrit për raport nga prokurori Blakaj është presion ndaj këtij prokurori.

“Jo, jo, unë nuk jam komentues dhe nuk komentoj”, tha Hoxha.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, dje në konferencën për media tregoi që ia kishte ofruar të gjithë zyrën e tij ish prokurorit Elez Blakaj për nevoja të hetimit për listat e veteranëve.

Madje këtë Haradinaj e kishte bërë edhe përmes një letre zyrtare të nënshkruar nga vet ai, ku i ofron pa asnjë pengesë qasje në të gjithë në arkivin e zyrës për çështje të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së.

Këtë letër, Haradinaj ia kishte dërguar në atë kohë prokurorit Elez Blakaj më 26 shtator të viti 2017, vetëm pak javë pasi që Haradinaj ishte ardhur në krye të Qeverisë.

Haradinaj në letër shkruan se kjo qasje po i jepet prokurorit Blakaj për qëllim të numërimit dhe evidentimit të listave për interes të hetimeve.

Gjithashtu kryeministri e njofton se askush nga zyra e Kryeministrit nuk do të ndërhyjë në procesin e hetimeve.

Hetimet ishin planifikuar të zgjasin 30 ditë, ndërsa pas përfundimit, Kryeministri kishte kërkuar që Prokurori t’ia dorëzojë atij raportin e hetimeve dhe konstatimet e tij.

Gjatë kohës që dy hetuesit kanë qenë në zyrën e arkivave, ajo është pajisur me kamera dhe është ndërruar cilindri i derës së zyrës së Arkivit ku ndodhej dokumentacioni.

Lexoni letrën e plotë të Kryeministrit Ramush Haradinaj:

Sot, u jam drejtuar ambasadorëve të akredituar dhe zyrtarëve të Zyreve Ndërlidhëse në Kosovë, duke shpjeguar me një letër përkrahjen time të pakusht ndaj të gjitha kërkesave të parashtruara nga prokurori i dorëhequr, Elez Blakaj, për tërë hetimin në Zyrën për Çështje të kategorive të dala nga Lufta e UÇK-së lidhur me çështjen e Listës së Veteranëve.

Ish prokurori Blakaj ka ardhur në zyren time dhe ka kërkuar dy javë kohë për të zhvilluar hetimet në Arkivë. Me vullnet të plotë për të ndihmuar procesin, kam qenë në dispozicion për çfarëdo kohe, që ai e përcakton. Jemi dakorduar që pas 30 ditëve të ofrojë një raport me rrjedhën e hetimeve, specifikisht a ka pasur mundësi që të hetojë pa ndërhyrje, paanshmërisht dhe me integritet të plotë.

Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet qendrore janë të vendosura që të forcojnë dhe sigurojnë rendin dhe ligjin në të gjithë Kosovën. Politikat që kemi hartuar dhe zbatuar në rend e ligj, ndër tjera, përfshijnë fuqizimin e rolit të prokurorëve dhe gjyqtarëve, duke ua ngritur buxhetin sektorial,duke ngritur pagat dhe përmirësuar kushtet e punës. Këto politika ua kanë rikthyer dinjitetin dhe kanë fuqizuar tërë sistemin duke ngritur efektivitetin, transparencën, dhe llogaridhënien.

Për shkak të këtyre përpjekjeve, ua shprehë besimin dhe përkushtimin tim të thellë se secili rast, përfshirë rastin në të cilin kishte punuar z.Blakaj, meriton hetim të pavarur dhe institucionet e drejtësisë duhet të punojnë të lirë nga çdo ndikim. Fatkeqësisht, individët si z.Blakaj, duke manifestuar protagonizëm të rrejshëm me sulmet e tij ndaj drejtësisë kosovare përmes medieve, tentoi të rrezikojë përpjekjet për forcimin e sundimit të rendit e ligjit në Kosovë. Ky rast nuk do të pengojë vendosmërinë tonë të fortë për një sistem të plotë funksional të drejtësisë në Kosovë.

 

 

 

https://kallxo.com/skandali-i-haradinajt-i-kerkoi-prokurorit-blakaj-raport-me-shkrim-duke-i-kufizuar-afatin-e-hetimeve-dokument/