Zotimi i Daut Haradinaj: Kush nuk ka qenë në luftë do të largohet nga lista e veteranëve

Në DebatPernime, kandidati i AAK-së për deputet, Daut Haradinaj është pyetur edhe për keqpërdorimet në listat e veteranëve, për të cilat ka thënë se listat do të pastrohen dhe kush nuk ka qenë në luftë do të largohet.

“Mos e harroni që po bohet llaf për 800 dhe unë jam i bindur që ai numër do të rritet, por kush nuk ka qenë në luftë do të largohet nga aty, pavarësisht kush është ai, ai nuk e  meriton me qenë veteran. Ai që ka qenë në luftë ai do të mbetet.

Ndërsa i pyetur nga moderatoja Xharra se a do ta lejojnë prokurorinë të i largoj nga lista apo apo do ti largojnë vet, Haradinaj ka thënë se prokuroria nuk e ka thirrur asnjëherë për ta marrë në pyetje për zonën në të cilën ka operuar.

“Prokuroria këtu m’ka pas ka mund mem thirr me dhjetëra herë, është dashur të më thëras mua, sepse unë jam përgjegjës për Deçan, është dashur të më pyes mua kush janë veteran, kërkush ma mir se unë nuk e din se kush janë veteran”, ka thënë ai.

Haradinaj ka thënë që institucionet e drejtësisë kanë bërë një trup shumë të madh në këtë rast.

“Publikimi i listave me emrat që janë përfol, largimi i emrave të luftës nga listat ka qenë një trup i madhe i institucioneve të drejtësisë”, tha Haradinaj.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra është mbajtur për dhjetë ditë rresht sa ka zgjatur edhe fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 6 tetor.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit.

Kandidatët për deputetë do të ballafaqohen me pyetje nga publiku, ekspertë, analistë e qytetarë të tjerë.

Pjesë e këtij debati do të jenë: Haki Abazi- Vetëvendosje, Hykmete Bajrami- Lidhja Demokratike e Kosovës, Daut Haradinaj- Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Valdrin Lluka -AKR NISMA PD.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV 21 dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.