Johannes Hahn - Foto: KALLXO.com

Hahn: Taksa ndaj Serbisë nuk është diçka që duhet të mbetet në fuqi

Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Europian, Johannes Hahn, tha sot në Prishtinë se BE është befasuar dhe zhgënjyer nga vendosja e taksës prej 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe boshnjake nga Qeveria e Kosovës.

Në një konferencë për media pas takimit me kryeministrin Ramush Haradinaj, Hahna përkujtoi se Bashkimi Europian, të cilin e synon edhe Kosova, është një treg i vetëm dhe nuk ka tarifa doganore.

“Ne kemi qenë të befasuar dhe të zhgënjyer kur u vunë tarifat doganore. Nuk është diçka që duhet të mbetet në fuqi”, theksoi komisioneri europian.

Hahn tha se e kupton që shumë njerëz në Kosovë janë entuziastë për taksën ndaj mallrave serbe e boshnjake, por tërhoqi vërejtjen se duhet të kihen parasysh pasojat afatgjata që kanë të bëjmë me tregun dhe perspektivën europiane.