Dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të veriut | Foto: Presidenca

Gjyqtari i Dekretuar: Nuk Ndihem se po Nisi Diçka të Re

Miroslav Ivanoviq njëri gjyqtarët e dekretuar nga Presidenti Thaçi tha sot se ata që do të jenë gjyqtarët dhe prokurorët e ardhshëm në veri janë profesionistë.

“Jemi njerëz profesionistë që vazhdojmë aty ku e lamë”, tha Ivanoviq.

Ai ditën e sotme nuk e konsideroi të veçantë, por krejt normale.

“Asgjë, më se normale, ditë si çdo ditë tjetër. Praktikisht nuk ndihem se po nisi diçka të re, vazhdojmë jetën tonë profesionale aty ku e lamë”, tha Ivanoviq.

40 gjyqtarët dhe 13 prokurorët që do të punojnë në veri, e dhanë sot betimin para Presidentit dhe u dekretuan prej tij.

Sipas Presidencës, me betimin dhe dekretimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve para Presidentit, bëhet edhe zbatimi i plotë i Marrëveshjes për Drejtësi të arritur në Bruksel, më datën 10 shkurt 2015.

Gjyqtarët dhe prokurorët për veriun ishte paraparë të dekretoheshin të martën që shkoi, por atë ditë nuk kishin ardhur në Presidencë.

Presidenti Hashim Thaçi kishte akuzuar Serbinë që pengoi shkuarjen për dekretim të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndërsa edhe BE-në e kishte fajësuar për paaftësi ndërmjetësimi.