Dekretohen dy anëtarët e ri të KQZ-së nga presidentja Osmani
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pas analizimit të Aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me emërimin e dy anëtarëve të tjerë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, në përputhje me kompetencat e saj, ka emëruar në këtë Komision, Ilir Gashi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Ćemailj Kurtiši nga koalicioni Vakat.
“Në ceremoninë e betimit para Presidentes, dy anëtarët e rinj të KQZ-së deklaruan se do t`i kryejnë detyrat e tyre si anëtarë të KQZ-së në mënyrë të ndershme, besnike, të paanshme dhe profesionale”, thuhet në njoftimin e presidencës.
Lidhur me këtë dekterim ka reaguar anëtari i KQZ-së, Arianit Elshani duke thënë se orvatjeve të pushtetit për ta vjedhur mandatin e PDK’së dhe koalicionit VAKAT në KQZ u erdhi fundi.
“Me aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese, u konfirmua ajo çfarë kemi thënë që nga fillimi se kërkesa e pushtetit është e papranueshme dhe në kundërshti me frymën kushtetuese, që garanton përfaqësimin dhe pluralizmin politik. Prandaj sot u dekretua anëtari i dytë i PDK’së, Ilir Gashi me të cilin bashkë do të angazhohemi për ruajtjen dhe avancimin e kredibilitetit të KQZ’së, ruajtjen e secilës votë të qytetarëve që vullneti i popullit të shprehet drejtë e i paprekur nga manipuluesit e zgjedhjeve”, ka shkruar Elshani në rrjetin social Facebook.