Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, Foto: EPA/Malton Dibra
Meta nuk e dekreton ligjin 'antishpifje'
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, nuk e ka dekretuar paketën ligjore ‘antishpifje’ e cila, gjatë muajit të kaluar është miratuar në Kuvendin e Shqipërisë, pas një debati të ashpër mes gazetarëve dhe pushtetit.
82 deputetë dhanë votën e tyre për paketën për të cilën kryeministri Edi Rama ka thënë se do të luftojë lajmet e rreme dhe shpifjet në median online, ndërsa gazetarët e konsiderojnë kapje dhe kontroll mbi median.
Vetëm 13 deputetë u shprehën kundër kësaj pakete, 5 abstenuan dhe 5 deputetë nuk morën pjesë në votim.
Presidenti Meta, në shkresë të publikuar në faqen zyrtare të Zyrës së Presidentit të Shqipërisë, ka radhitur arsyet se pse ky ligj është kthyer në Kuvend.
“Nga shqyrtimi paraprak i faqes zyrtare të internetit të Kuvendit të Shqipërisë, konstatohet paraprakisht se Kuvendi, nuk ka publikuar deri më tani, përmbajtjen e akteve ligjore të “paketës antishpifje” të miratuar prej tij, si ligjin nr. 91/2019 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar”, ashtu dhe ligjin nr. 92/2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9918 datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, të miratuara njëkohësisht në datën 18.12.2019”, thuhet në letrën e presidentit Meta.
Ai e ka quajtur këtë një mungesë transparence të theksuar përkundrejt publikut mos publikimin e përmbajtjes së këtyre akteve ligjore.
Në arsyetimin e kthimit të ligjit, presidenti Meta ka parashtruar argumente mbi domosdoshmërinë e rishikimit nga Kuvendi të sanksioneve financiare, mënyrës së vendimmarrjes, organit që ka të drejtë të marrë vendimin, si dhe mbi mënyrën e ekzekutimit të këtyre sanksioneve, apo të masave të tjera ndëshkuese.
“Shqetësimet për përhapjen e lajmeve të rreme, apo ndikimit negativ të dezinformimit, duhet të adresohen në mënyrë të tillë që çdo mjet ligjor mbrojtës ndaj këtyre fenomeneve të mos rrezikojë në asnjë rast, të vendosë në disbalancë, apo të krijojë rrezikun e keqpërdorimit të këtyre mjeteve ligjore për të cenuar të drejtën për informacion, lirinë e shprehjes dhe të medias apo dhe lirinë për veprimtari ekonomike, të drejta këto që gëzojnë mbrojtje të posaçme nga Kushtetuta dhe aktet ndërkombëtare”, vazhdon arsyetimi i Metës.
Ndërsa delegimi me ligj një organi administrativ i kompetencave që Kushtetuta nuk ia lejon, mungesa e transparencës në procedurën e vendimmarrjes, dhe aplikimi i sanksioneve disproporcionale dhe pa kaluar në shqyrtimin gjyqësor, sipas presidentit Meta, nuk është në balancë mes interesit publik për mbrojtjen nga lajmet/informacionet e rreme, dhe të drejtës për informim, lirisë së shprehjes dhe zhvillimit të aktivitetit ekonomik në fushën e publikimeve elektronike.
“Në këtë logjikë, edhe nenet 3 dhe 4 të ligjit nr. 92/2019, do të duhet të rivlerësohen në kuadër të rishqyrtimit nga ana e Kuvendit të Shqipërisë të dispozitave respektive të ligjit nr. 91/2019, lidhur me masat ndaj ofruesve të shërbimeve mediatike në rastet e shkeljes të dispozitave ligjore”, përfundon letra e presidentit Meta.
Letrën e plotë të presidentit Meta me arsyetimin për kthimin në Kuvend të ligjit ‘antishpifje’ mund ta lexoni KËTU.
Me paketën e re, Autoriteti i Mediave Audiovizive merr kompetenca për gjobitjen dhe deri në mbylljen e portaleve nëse gjykon se kanë publikuar shpifje apo lajme të rreme. Gazetarët argumentojnë se AMA nuk mund të marrë kompetenca që i takojnë gjykatës.