Gjyqi 12 Vjeçar i Ushtarit “i Kushton Bosnjës 1.5 Milion Euro”
Avokati mbrojtës i Bejtiç, Fahrija Karkin, tha për BIRN se kostoja totale e gjyqit mund t’i kalojë 1.5 milion euro, duke marrë parasysh të gjitha kostot e shkaktuara nga gjykata gjatë periudhës 12-vjeçare.
Karkin tha se ai kishte qenë avokati i Bejtiçit për 12 vjet dhe se vetëm kostot e tij i tejkalonin 250,000 euro.
Gjyqi rifilloi për herë të katërt muajin e kaluar në gjykatën e kantonit në Sarajevë.
Bejtiç, një ish-anëtar i Brigadës së Dhjetë të Malit të Ushtrisë Boshnjake, akuzohet se ka vrarë një njeri të quajtur Zoran Vucureviç në Kazani pranë Sarajevës më 25 dhjetor 1992.
“Gjyqi i Bejtiç ka filluar përsëri. Tani po merren në pyetje dëshmitarët. Kjo është e trishtueshme sidomos sepse familjet e të vdekurve, njerëzve që u vranë, po merren përsëri në pyetje. Kjo do të thotë të rihapen plagë të vjetra,” tha Karkin.
“Kjo do të zgjasë një kohë shumë të gjatë, sepse ka shumë dëshmitarë. Prokuroria këmbëngul që të gjithë dëshmitarët të rimerren në pyetje gojarisht,” shtoi ai.
Në vitin 2015, Gjykata e Lartë e Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës revokoi vendimin e mëparshëm, sipas të cilit Bejtiç u lirua nga akuzat dhe ia riktheu çështjen gjykatës kantonale në Sarajevë për rigjykim.
Para kësaj, Bejtiç u dënua me 14 vite e gjysmë burg në vitin 2006, dhe më pas u lirua dy herë nga akuzat, në 2008 dhe 2011. Gjykata e Lartë i revokoi çdo herë vendimet e gjykatës kantonale, duke fajësuar shkeljet e procesit penal.
Gjykata kantonale nuk ka qenë në gjendje të specifikojë se sa do të kushtojë gjyqi i Bejtiçit.
Ilhana Tahmaz-Jamak, një zëdhënëse për Gjykatën e Lartë të Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës, shpjegoi se çështja kundër Bejtiç ishte kthyer disa herë në gjykatën kantonale për shkak se ai u gjykua në bazë të ligjit të vjetër të Procedurës Penale të Federatës së Bosnjë dhe Hercegovinës.
“Ligji i lartpërmendur përcakton se një çështje duhet të rikthehet në gjykatën e shkallës së parë, nëse vendimi është anuluar për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale,” tha Tahmaz-Jamak.
Eksperti ligjor dhe ish-gjyqtari Vehid Sehiç tha se ishte e papranueshme që një gjyq të zgjasë 12 vjet.
“Efikasiteti dhe kosto-efikasiteti i çdo procedure gjyqësore duhet të merret në konsideratë. Megjithatë, unë jam edhe ndër ata që mendojnë se drejtësia nuk mund të jetë kurrë shumë e shtrenjtë dhe se kostot financiare nuk duhet të udhëheqin gjëra të tjera, duke qenë se ne nuk duam një situatë ku as për viktimat dhe as për të pandehurit të mos vihet drejtësi,” tha Sehiç.
Trupat e mbi 30 viktimave, kryesisht serbë të vrarë nga trupat e Ushtrisë Boshnjake në vitin 1992 dhe 1993, janë zhvarrosur në Kazani, ku u hodhën në një gropë pasi u vranë.
Por Bejtiç është i vetmi person që është akuzuar për krime lufte atje. Katër persona të tjerë janë dënuar me nga gjashtë vjet burg secili për kryerje vrasjesh në Kazani, ndërsa tetë të tjerë u dënuan me nga 10 muaj secili për moskallëzim të krimit dhe të autorit të saj.
Karkin tha se ishte e padrejtë që autorët e tjerë janë dënuar për kryerje “vrasjesh të zakonshme”, ndërsa Bejtiç po ndiqet penalisht për kryerjen e një krimi lufte. Ai tha gjithashtu se prokuroria dhe mbrojtja e kishin diskutuar një marrëveshje mbi pranimin e fajësisë, por nuk kishin rënë dakord për klasifikimin e krimit.
Por Sehiç tha se vrasjet e kryera në Kazani ishin “veçanërisht të ndjeshme” dhe kështu që duhet të klasifikoheshin si krim lufte.
“Sipas mendimit tim, nuk ka dyshim se ky ishte një krim lufte. Nuk e kuptoj sesi ky akt nuk duhet të klasifikohet si i tillë,” tha Sehiç.
Bejtiç u arrestua në Gjermani 14 vjet më parë dhe më pas u ekstradua në Bosnjë dhe Hercegovinë. Më pas ai kaloi gjashtë vjet në paraburgim para se të lirohej dhe të lejohej të mbronte veten ndërkohë që mbetej i lirë.