Gjykimi për Ryshfet

Azem Bajrami akuzohej se si menaxher përgjegjës për asetet në KEK në periudhën kohore prej dhjetorit 2012 e deri më 11 prill 2013 në mënyrë të vazhdueshme ka marrë ryshfet duke i premtuar një kompanie shpërndarëse të internetit shfrytëzimin e shtyllave të KEK-ut për rrjetin e saj.

Sipas aktakuzës, Bajrami kishte marrë 4 mijë e 500 euro nga Leonard Hoxhaj pronari i kompanisë NTSh “EGC”, duke i premtuar operimin e saj me anë të aseteve të KEK-ut.

Sipas prokurorisë Bajrami ngarkohej për ushtrim ndikimi dhe marrje ryshfeti, por prokurori Ilaz Beqiri hoqi dorë nga ndjekja e Bajramit për veprën e parë me të cilën ngarkohej.

Pjesë e gjykimit ishte edhe Pren Krasniqi, i akuzuar për dhënie ryshfeti, por prokurori hoqi dorë nga ndjekja penale e tij.

Këto veprime prokurori i ndërmori pas dëshmisë së Leonard Hoxhajt, të dëmtuarit në këtë gjykim.

Dëshmitari  Leonard Hoxhaj tha se mbetet pranë deklaratës së dhënë në polici pasi që në atë kohë i ka pasur gjërat më të freskëta.

Leonard Hoxhaj gjatë dëshmisë së tij tha se ka punuar si operator për shërbimin e internetit. Ai po ashtu deklaroi se Pren Krasniqin e njeh pasi që kanë punuar së bashku.

Hoxhaj para trupit gjykues bëri të ditur se nga Pren Krasniqi ka pranuar shumën prej 1500 eurove për t’ia dhënë më pas të akuzuarit Azem Bajrami.

Dëshmitari tha se Bajrami i detyroi t’ia japin këto të holla dhe i mori ato për vete, pasi sipas tij ndryshe nuk lejonte punën e operatorit të shërbimeve të internetit.

Në fjalën përfundimtare  prokurori i propozoi gjykatës që i pandehuri Azem Bajrami të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit duke e marrë si rrethanë lehtësuese faktin që ai ka pranuar fajësinë për veprën marrje ryshfeti.

Edhe Behar Ejupi, avokati i Azem Bajramit përmendi pranimin e fajësisë dhe faktin se Bajrami nuk ka qenë i gjykuar më parë si rrethana lehtësuese, duke propozuar që klienti i tij të dënohej me kusht.

Aktgjykimi për Bajramin është paraparë të ndodhë më 12 prill.

Pas seancës, avokati Nikë Shala mbrojtës i Pren Krasniqit tha se klienti i tij ishte akuzuar pa bazë.

“Gjatë seancave të zhvilluara para trupit gjykues të Gjykatës Themelore-Departamenti për Krime të Rënda me asnjë provë të vetme nuk është dëshmuar se klienti im ka qenë i involvuar dhe ka qenë me bazë i akuzuar për veprën penale për të cilën akuzuar,” tha Shala.

Shala tha se prokurori veproi drejt kur hoqi dorë nga ndjekja penale e Pren Krasniqit.

“Prokurori me plot të drejtë e ka akceptuar mbrojtjen e klientit tim dhe kundërshtimet që i kam paraqitur që në shqyrtimin fillestar, ngase edhe nga deklarata e klientit tim si dhe dëshmitë e dëshmitarëve dhe provat e lëndës që gjenden në shkresat e lëndës nuk rezulton që klienti im ka qenë i involvuar në këtë vepër penale dhe me plot të drejtë prokurori pas shqyrtimeve gjyqësore ka hequr dorë nga ndjekja penale,” tha Shala.