Mungesat në gjykimin për lëndime të rënda trupore | Foto: KALLXO.com

Gjykimi për Goditjen e Bashkëfshatarit me Kondak të Revoles

As prokurorja dhe as i akuzuari nuk ishin të pranishëm në gjykimin ku Besnik Bala akuzohet për goditje në kokë me kondak të revoles të Megzon Rexhës në vitin 2012.

Sot ishte paraparë të fillonte ky gjykim ku Bala akuzohet për lëndime të rënda trupore ndaj bashkëfshatarit të tij, por ai nuk u paraqit në gjykatë.

Mungoi edhe prokurorja Dulina Hamiti, ndonëse sipas kryetarit të trupit gjykues, e njëjta ka pranuar ftesën në mënyrë të rregullt, por nuk e ka arsyetuar mungesën.

Sa i përket të akuzuarit, avokati mbrojtës, Berat Tmava, bëri të ditur se i njëjti ka ndërruar vendbanimin.

Rasti në fjalë ka ndodhur më 6 shkurt të vitit 2012, rreth orës 18:30 minuta në fshatin “Rimanishtë”, Komuna e Prishtinës.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Besmir Bala për shkak të një mosmarrëveshjeje të mëherëshme, deri sa i dëmtuari Megzon Rexha kishte zbritur nga kombibusi dhe ishte nisur në drejtim të shtëpisë së tij, ka nxjerrë revolen e tipit të panjohur, ka shtënë dy herë me revole, me qëllim të frikësimit dhe të kërcënimit, si dhe i është drejtuar të dëmtuarit me fjalët “se kam me të vrarë”.

Më pas, gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari me dashje që t’i shkaktojë lëndime të rënda trupore e ka sulmuar fizikisht të dëmtuarin duke e goditur disa herë me kondak të revoles në kokë dhe në pjesë të fytyrës dhe të gojës si dhe në pjesë të tjera të trupit.

Në aktakuzë thuhet se Megzon Rexhës këto goditje i kanë shkaktuar plagë ndrydhëse- shqyese në pjesën anësore të kokës, prapa veshit të majtë, thyerje të dhëmbit, plagë ndryshëse- shqyese në buzën e epërme dhe thyerje të kockës së hundës.