Konferenca përmbyllëse në Gjykatën e Gjilanit | Foto: Gjykata

Gjykata e Gjilanit-Burg 295 Personave në 2016-ën

295 persona të akuzuar për vepra të ndryshme penale u dënuan me burgim nga Gjykata Themelore në Gjilan gjatë vitit 2016.

Sipas një njoftimi të kësaj gjykate, ajo vendosi sivjet për 52 lëndë të lidhura me korrupsionin, ndërsa për vitin e ardhshëm i mbetën të shqyrtohen 41 raste të tilla.

Rastet e korrupsionit, sipas njoftimit, Gjykata në Gjilan i zgjidhi me dënime me burg, dënime me kusht, por edhe aktgjykime liruese dhe refuzuese.

KALLXO.com ka raportuar gjatë këtij viti se ai aktakuzat ndaj ish-kryeprokurores së Gjakovës, Shpresa Bakija si dhe kryetarit të Gjilanit nuk arritën të vërtetohen në gjykatën e këtij qyteti.

http://kallxo.com/e-pafajshme-shpresa-bakija/

http://kallxo.com/gjykata-e-apelit-refuzon-ankesen-kunder-lutfi-hazirit/

Këto të dhëna u prezantuan në konferencën përmbyllëse të Gjykatës Themelore të Gjilanit, nga kryetari Zyhdi Haziri.

Përpos trajtimit të rasteve të korrupsionit, në njoftim bëhet e ditur se nga 7 raste të terrorizmit, vetëm një lëndë pret zgjidhje, ndërsa 6 raste tashmë janë vendosur.

E arritur kryesore, sipas kryetarit të Gjykatës Themelore në Gjilan, vlerësohet zvogëlimi i rasteve në Departamentin e Krimeve të Rënda.

“Në fillim të vitit 2016 kemi trashëguar 525 lëndë, ndërsa ky numër i lëndëve në fund të këtij viti ka rënë në 378 lëndë. Numri i lëndëve të pranuara në këtë departament për këtë vit ka qenë 323 lëndë, ndërsa pesë gjyqtarët e këtij departamenti kanë zgjidhur 470 lëndë për vitin 2016,” tha kryetari Haziri.

Ai deklaroi gjykata rriti transparencën përmes përdorimit aktiv të ueb-faqes së gjyqësorit dhe njoftimit të OJQ-ve për numrin e lëndëve të zgjidhura dhe çështjet tjera në këtë aspekt.

Gjykata në Gjilan gjatë këtij viti filloi të publikojë edhe aktgjykimet e plotfuqishme në ueb-faqen e saj.