Gjetjet e hulumtimit 'Tregtia me abortet'

Sot është bërë lansimi i gjetjeve të hulumtimit  “Tregtia me abortet”, nga gazetarja  Leonora Aliu.

Në këtë tryezë  morën pjesë Drejtoresha Ekzekutive e BIRN-it në Kosovë, Jeta Xharra, Shefqet Lulaj nga  Shoqata e Gjinekologëve të Kosovës, deputetja Teuta Haxhiu nga Komisioni për të drejtat e njeriut, dhe sociologia Sibel Halimi.

Aliu gjatë prezantimit të hulumtimit të saj ka folur për të drejtën që gratë në Kosovë e kanë për të bërë abort.

“Nëse aspirojmë të jemi shoqëri demokratike duhet me ndërru dhe me bë hapin e parë që grave me ia siguru të drejtën në qasje dhe në të drejta elementare. Aspekti i parë trajton legjislacionin në Kosovë me të drejtën e gruas në abort. Kam pa se Kosova për dallim nga disa shtete e ka një ligj që është bazë që rregullon të drejtën e gruas në të drejtën për abort, ka të drejtë ta ndërpresë shtatzëninë”, u shpreh Aliu.

Ajo tutje ka treguar për qasjen e stafit të QKUK për gratë të cilat abortojnë, e cila sipas saj është shqetësuese.

“Jashtëzakonisht shqetësuese ka qenë qasja e stafit të klinikës publike në QKUK. Abortin e trajton si vrasje dhe krim të bërë me duart e nënës. Deri në 2016 kemi pasë të vendosur një afishe ku thuhet se aborti është vrasje me duart e nënës. Qasja e stafit nuk ka ndryshuar përkundër që afisheja është hequr”, është shprehur Aliu.

Ajo tutje ka sqaruar se disa aborte të cilat kryhen nga gratë nuk regjistrohen, madje sipas hulumtimit të saj, disa vajza kërkojnë të mos regjistrohet aborti.

Në këtë prezantim mori pjesë edhe Shefqet Lulaj nga Shoqata e Gjinekologëve të Kosovës, i cili ka kërkuar që të hiqet e drejta e abortit në ordinanca private.

“Ligji e lejon abortin deri në javën e dhjetë me kërkesën e gruas shtatzënë, me një konsultë të gjinekologut. Është fakt që nuk respektohet ai treditëshi i konsultës, kjo është shkelje e ligjit. E kemi limitin më të ulët të abortit, e kemi dhjetë javë, Shqipëria e ka 12 javë”, është shprehur Lulaj.

Për regjistrimin e numrit të aborteve të cilat kryhen në Kosovës, ka reaguar edhe Teuta Haxhiu nga Komisionit për të Drejtat e Njeriut.

Sipas saj është shqetësuese  mungesa e informacioneve mbi numrin e abortimeve në Kosovë.

Haxhiu në këtë tryezë ka thënë se do të marrë iniciativën që rekomandimet e sotme t’i adresojë edhe në grupin e grave.

Pas diskutimeve, në fund të kësaj tryeze u rekomandua që ligji aktual për ndërprerje të shtatzënisë duhet të amendamentohet, ambulancat gjinekologjike private duhet t’u ndalohet kryerja e abortit si pasojë e mosplotësimit të kushteve për të realizuar atë në mënyrë profesionale dhe të sigurt, ambulancat gjinekologjike të inspektohen për aborte, e shumë rekomandime të tjera.

Ky hulumtim është mundësuar me financim të Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, si dhe përkrahur nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese në Kosovë (BIRN Kosovo) dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK.