Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gazetarja Leonora Aliu tregon përvojën e saj me mjekët në kohën kur ishte infektuar me COVID-19

Në mesin e personave të cilët kanë trokitur në dyert e klinikave në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim nga coronavirusi është edhe gazetarja Leonora Aliu.

Gazetarja në këtë debat ka rrëfyer eksperiencën e saj me mjekët në Pulmologji dhe në Infektivë.

“Pas kontrollës së parë në Qendrën Klinikës Familjare në Prishtinë kanë kërkuar të konsultohem me një pulmolog për shkak se mundem me pasë atakime në mushkëri, gjë që është duke ndodhë. Nuk e kam kalu lehtë COVID-in. Kur kam shku në Infektivë përveç që kam pritë gjatë atë ditë më kujtohet që kemi qenë disa persona duke pritë për kontrollë dhe e di që janë përmendur vazhdimisht vetëm dy doktorë që kanë qenë në ambulantën e COVID-it  sepse ishte i vetmi vend ku ti ke mujtë me u orientu si pacient në Pulmologji për çka unë e kisha udhëzimin, nuk më kanë pranuar, më thanë: shko në ambulantën e COVID-it në infektivë”, rrëfeu ajo në emisionin “Kallxo Pernime”.

Ajo thotë se ka pritur gjatë në Klinikën për sëmundje ngjitëse, por në kohën sa ishte në pritje kishte persona të tjerë të cilët nuk kishin nevojë për pritje, pasi që sipas saj, të linin përshtypjen se janë me të njofshëm dhe nuk kishin nevojë të prisnin ashtu siç prisnin të tjerët.

“Në infektivë më bjen me pritë rreth 1 orë, ironia e gjithë kësaj ishte se unë pritsha, pritshin edhe disa të tjerë, por kishte pacientë që vinin pas meje edhe atyre që ishin para meje por e jepshin emrin e doktorit dhe doktoreshës edhe hynin pa rend”, vazhdon rrëfimin ajo.

“Shumë pak kohë kalon mjeku me pacientin, pra ka shumë pak informata edhe këshilla që merren prej mjekut në dorën e parë”, theksoi Leonora Aliu në emisionin “Kallxo Pernime” ku po debatohet për menaxhimin e pandemisë në Kosovë dhe si do të ndikojë pandemia në shëndetin mendor.

www.kallxo.com