Në qeveri organizohet tryeza e rrumbullakët për Ditën Memoriale të Komunitetit Egjiptian

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot mori pjesë në tryezën e rrumbullakët me komunitetin egjiptian, me rastin e shënimit të Ditës Memoriale të këtij komuniteti, të organizuar nga Zyra për Çështje të Komuniteteve në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

Në këtë tryezë, ku të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, deputeti Fridon Lala dhe përfaqësues të tjerë nga komuniteti egjiptian, ku u diskutua për sfidat dhe mundësitë për komunitetin egjiptian në Kosovë.

Në një komunikatë për media të Zyrës së Kryeministrit thuhet se Kurti shprehu falënderimet e tij për kontributin e dhënë nga ky komunitet në Republikën e Kosovës si dhe theksoi se është mirënjohës edhe për mundësitë për bashkëqeverisje përmes Zyrës së Kryeministrit dhe Kuvendit të Kosovës.

“Si hap të rëndësishëm për realizimin e kuotës për punësim në institucione, siç e parasheh ligji, ai veçoi krijimin e ekipit ndërinstitucional për nxitjen dhe promovimin e punësimit për komunitetet egjiptian, ashkali dhe rom në vendin tonë”- thuhet në komunikatë.

Tutje, theksohet se Kurti nënvizoi përfitimet dhe mundësitë që platforma Superpuna dhe ajo “Kosova Generation Unlimited” paraqet për anëtarët e këtij komuniteti në përfitimin e aftësive të punës dhe përfshirjes në tregun e punës.

Kurse, zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës për Çështje të Pakicave dhe Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi,  tha se është aty për të dëgjuar kërkesat e tyre.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, u shpreh se jo vetëm në ditët festive, por janë 365 ditë që duhet të angazhohen për komunitetin dhe vendin tonë.

“Ne kemi qenë pjesë e pandashme e historisë, pra edhe pas pavarësisë do të mbesim pjesë e shtetit dhe e shoqërisë, për të kontribuar dhe pasuruar mozaikun multikulturor të vendit tonë”, tha ai.

Ndërkaq, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fridon Lala, falënderoi kryeministrin Kurti përprezencën e tij në shumë aktivitete të grupeve të ndryshme minoritare duke thënë se prezenca e tij këto dy vite ka qenë më e madhja nëse krahasohet me secilin kryeministër më herët, për sa i përket takimeve me komunitete.