Ganimete Musliu, deputete e PDK-së - Foto: KALLXO.com

Ganimete Musliu i replikon Vjosa Osmanit për ‘ADN’-në e partive

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka folur për “ADN-në” e partisë që përfaqëson, pas deklaratave të deputetes së LDK-së Vjosa Osmani se ‘PDK e ka në ADN-në që të tradhtojë partnerët e koalicionit’.

Musliu përmes Facebook-ut ka shkruar se deklaratat e LDK-së ndaj PDK-së ‘janë përralla’.

“E vërteta dhemb, por nga këndvështrimi afatgjatë është opsioni më i mirë për të reflektuar mbi vehtën. ADN e PDK-së:  Fitore të vazhdueshme, Atdhedashuri dhe shtetndërtim, Shtyrje përpara e agjendës për zhvillim.”, ka shkruar ajo.

‘Çdo partner koalicioni i PDK-së që paralizohet nga frika dhe mendon se i shijon katër vite pushtet pa treguar asnjë rezultat gabon shumë’, ka vazhduar tutje deputetja Musliu.

Rezultati i koalicionit PDK-LDK sipas saj, nuk mund të quhet tradhti, por ‘pasojë që e pret secilin’.

“Racionaliteti, pastaj është përgjigja që merr LDK në diten e zgjedhjeve, si rezultat i mendjemadhësisë dhe i prepotencës në raport me secilin qytetar të vendit i cili nuk ju beson përrallave LDK-iste. „Harmonia“ brenda LDK-së është përralla më e re që kjo parti përpiqet ti servoj opinionit.”, ka shkruar deputetja e PDK-së.