Fshati i Atletikës

Ka vetëm 11 vjet jetë por ka filluar t’i radhitë sukseset një nga një.

Ky është Klubi i Atletikës “Rogana” nga fshati me të njëjtin emër në komunën e Kamenicës.

Një natyrë e bukur e rrethon fshatin me rreth 3 mijë banorë ndërsa ajri i pastër.

Klubi drejtohet nga Zijadin Kryeziu i cili është edhe përzgjedhës i ekipit kombëtar atletik të Kosovës.

Ai ka filluar të merret me këtë sport që në vitin 1996.

Atletja Vijona Kryeziu dhe atleti Musa Hajdari pritet të marrin pjesë në Lojërat Olimpike Rio 2016 në Brazil dhe tashmë kanë arritur normat evropiane për këtë sport ndërsa Astrit Kryeziu e përfaqësoi Shqipërinë në Lojërat Evropiane Baku 2015, në të cilat në garën prej 800 metra zuri vendin e katërt.

Për t’i bërë vetes kushte më të mira, atletët e Roganës kanë ndërtuar vetë një shteg të stërvitjeve dhe një kamp qëndrimi.

“Klubi Atletik Rogana është themeluar në fund të vitit 2005, dhe me gara filluam menjëherë në fillim të vitit 2006. Për këto 10 vite jetë kemi bërë shumë punë, sakrificë, kuptohet me disiplinë, seriozitet”, thotë për KALLXO.com trajneri Zijadin Kryeziu.

Rezultatet nuk kanë munguar për shkak të vullnetit të klubit dhe atletëve por Kryeziu ankohet në kushtet e punës.

“Kemi arritë jashtëzakonisht rezultate të mira si në nivelin shtetëror, poashtu edhe në nivelin ndërkombëtar dhe mbarëkombëtar. Jemi të detyruar dhe na imponohet të punojmë në kushte të tilla dhe dëshirojmë të shkojmë përpara me çdo kusht të arrijmë synimet tona, edhe pse është jashtëzakonisht vështirë”, tha Kryeziu.

Por ai thotë se klubi duhet të ketë përkrahje më të madhe financiare për t’i përballuar shpenzimet në rekuizita, veshmbathje, ushqim dhe mjete medicinale të domosdoshme për një atlet.

“Institucionet tona e kanë obligim ta mbështesin sportin me mundësitë që i kanë, por krahas sukseseve të garuesve të klubit tonë të cilët kanë kaluar edhe rrafshin kombëtar dhe mbarëkombëtar. Mendoj se përkrahja është minimale për shkak se kostoja e këtyre garuesve elitë siç i kemi ne është jashtëzakonisht e madhe”, thotë Zijadin Kryeziu.

Faton Biqkaj, i cili është shef i personelit në Komunën e Kamenicës në një përgjigje për KALLXO.com ka treguar se komuna në vitin 2014 ka përkrahur klubin Rogana me 2,300 Euro, ndërsa në vitin 2015 me 6,230 Euro, ndërsa gjatë atij viti komuna, sipas tij, ka mbështetur me pagë mujore dy atletë të këtij klubi me nga 160 Euro në muaj.