Gazetarët e sulmuar gjatë protestës kundër koalicionit të ri qeveritar. Foto: BIRN

Frikë për Dhunë në Maqedoni

Mbështetësit e partisë VMRO-DPMNE dolën në rrugë për të dytën ditë me radhë për të protestuar kundër një koalicioni të mundshëm qeveritar pas zgjedhjeve të përgjithshme të 11 dhjetorit.

Demonstruesit thonë se koalicioni i mundshëm mes Bashkimit Social-Demokratik të Maqedonisë, LSDM, dhe partive shqiptare do të rrezikojë interesat e maqedonasve etnikë.

Protestat – e organizuara nga Iniciativa Qytetare për një Maqedoni të Bashkuar (e sapoformuar) filluan të hënën në kryeqytet.

Mijëra vetë morën pjesë në mitingun e të martës në Shkup dhe protesta u mbajtën edhe në disa qytete të tjera të Maqedonisë, duke përfshirë Manastirit, Prilepin, Kërçovën, Kumanovën dhe Shtipin.

Protesta në Shkup u përshkua me dhunë ndaj dy gazetarëve të medias A1on – ku kameramani Vladimir Zelceski dhe gazetari Aleksandar Todevski – u sulmuan fizikisht gjatë raportimit në protestë.

“Pjesëmarrësit në protestë sulmuan gazetarët nga mbrapa, duke i gjuajtur me grushte në kokë dhe duke i goditur me shkelm. Atyre iu mor kamera, u hodh në tokë dhe protestuesit e goditën derisa e shkatërruan plotësisht”, tha kryeredaktori i A1on Predrag Petroviq.

“Mjekët u thirrën menjëherë dhe gazetarët janë në spital ku po ekzaminohen”, shtoi ai.

Fotoreporterët në skenë ia dolën të shkrepin foto të të dyshuarve si agresorë teksa u larguan nga vendngjarja dhe dy gazetarët ishin të shtrirë përtokë.

Organizatorët e protestave u zotuan të vazhdojnë demonstratat të mërkurën pasdite, pavarësisht frikës se ato – të mbushura me ton nacionalist – mund të karakterizohen nga përshkallëzimi i dhunës.

Protesta në Shkup, ku morën pjesë shumë anëtarë të njohur dhe mbështetës të partisë konservatore VMRO DPMNE, filloi përpara ndërtesës qeveritare.

Protestuesit valëvitën flamuj dhe pankarta ku shkruhej “Liri ose Vdekje”, pastaj marshuan përpara selisë së VMRO DPMNE ku i bënë thirrje lidershipit të partisë t’i bashkohej atyre.

VMRO DPMNE ka mbajtur pushtetin që prej 2006 por mund ta gjejë veten tashmë në opozitë pasi LSDM lajmëroi se kishte siguruar një shumicë parlamentare. Zoran Zaev po pret tani të marrë mandatin për formimin e një qeverie të re.

Protestuesit e akuzuan Zaevin se ka tradhtuar interesat maqedonase pas pranimit të kushteve të partive etnike shqiptare, deputetët e të cilëve luajnë rol kyç në sigurimin e një shumice prej 61 deputetësh.

Kushti kryesor përfshin shtrirjen e gjuhës shqipe zyrtare në të gjithë vendin.

Presidenti maqedonas Gjorge Ivanov pritet t’i dorëzojë mandatin Zaevit të mërkurën, ndërsa Departamenti Amerikan i Shtetit lëshoi një deklaratë për shtyp të martën ku u bëri thirrje liderëve maqedonas të formojnë një qeveri të re pa u vonuar.