Flet Kosovari nga Kampi i Munihut në Gjermani Pas Diskutimit për Migrimin në Kuvend

Përderisa në Kuvendin e Kosovës u debatua rreth migrimit ilegal, ndërsa nuk u votua rezolutë për këtë çështje, të rinjtë e Kosovës ende vazhdojnë që t’ia mësyjnë rrugës së ikjes nga vendi në kërkim të një jete më të mirë.

Një i ri rreth moshës 20 vjeçare, i cili nuk pranon që të prezantohet për publikun, rrëfen  për KALLXO.com rrugën e tij dhe të tre shokëve të tij për në Gjermani.

Ai thotë se këtë rrugë e mori si shpresë për një jetë më të mirë.

Për të nuk ishin pengesë dhe zhgënjim as edhe rrugët e vështira si dhe kampet e Hungarisë, ndërsa nuk mendon që të kthehet.

Ai nuk dëshiron t’ia dijë as për deklaratat e ambasadorëve të shteteve evropiane në Kosovë kur thonë asnjë kosovari nuk do t’i njihet e drejta e azilit.

“Mjafton me e ditë gjashtë orë me herët edhe me ikë, ma para në një kontejner jetoj sesa në Kosovë”, thotë ai.

Shumë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës folën dje kundër migrimit ilegal dhe rrugës së rrezikshme që kanë zgjedhur kosovarët për ta lëshuar vendin, duke kritikuar qeverinë për këtë dukuri.

Por 20 vjeçari që nuk deshi të flasë me emër, ndërsa lëshoi Kosovën para një muaji nuk i dëgjoi ato që u thanë në Kuvend.