Flet i Dyshuari Për Vrasjen e Donjeta Pajazitit

Gjyqtari Sami Sharraxhiu, pranoi kërkesën e prokurores për shqiptimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit me iniciale N.P, dhe ia caktoi atij masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Prokurorja e Rastit Valbona Disha-Haxhosaj, deklaroi para gjykatës se prokuroria ka siguruar prova që arsyetojnë dyshimin e bazuar se i pandehuri me iniciale N.P, ka kryer veprat penale vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll, të paautorizuar të armëve.

Sipas prokurores Haxhosaj, provat relevante të cilat mbështesin dyshimin e bazuar se i pandehuri N.P, ka kryer këto veprat penale janë raportet policore, raportet e vendit të ngjarjes, deklarimet e dëshmitarëve duke përfshirë edhe vajzën e të pandehurit e po ashtu edhe kamerat e sigurisë të një bashkëfshatari të tij, ku i dyshuari shihet ditën kritike.

Haxhosaj i propozoi gjykatës që të dyshuarit t’i shqiptohet masa e paraburgimit, me arsyetimin se ekziston rreziku i arsyeshëm se ai mund të ushtrojë presion mbi dëshmitaret dhe të largohet në arrati.

“Duke pasur parasysh veprën e rëndë penale, për të cilën potencialisht mund të shqiptohet dënim i rëndë, dhe pasi ekzistojnë shumë dëshmitarë kushërinj duke përfshirë dhe të afërm, ekziston dyshimi i bazuar se mund të ushtrojë presion mbi ta që të dëshmojnë në favor të tij”, tha Haxhosaj.

Ajo tha se i akuzuari më parë ka qenë i dënuar për vepër penale, andaj ligjërisht lëshimi i tij  në liri është i paarsyeshëm.

Gani Kelmendi, mbrojtësi i të pandehurit N.P, kundërshtoi propozimin e prokurorit për caktimin e masës paraburgimit, duke theksuar se vepra penale e mëparshme për të pandehurin N.P, nuk është relevante me veprën për të cilën akuzohet, e për të cilën vepër i pandehuri i tij është deklaruar i pafajshëm.

Kelmendi i propozoi gjykatës që ta refuzojë kërkesën e prokurores për caktimin e paraburgimit, dhe që ndaj të pandehurit të mbrojturit të tij gjykata t’i shqiptojë masën e arrestit shtëpiak.

Ndërsa i dyshuari tha para gjykatës së ndihet plotësisht i pafajshëm. Ai u shpreh i bindur se do të triumfojë drejtësia dhe do të zbulohet pafajësia e tij.

“Më vjen shumë keq për familjen e Donjetës, betohem në Zot dhe në drejtësi se nuk kam qenë autor i vrasjes makabre të Donjetës. Donjeta ishte si vajza ime, aq sa është fajtor babai i saj, aq jam fajtor edhe unë”, tha N.P.

I pandehuri N.P, theksoi se vrasja e kushëririt të tij në vitin 1992, nuk është bazë qe ai të paraburgoset. I pandehuri N.P tha se nuk e mohon të kaluarën e tij, por se sipas tij është e papranueshme të akuzohet për një vepër në të cilën tha se nuk ka gisht.

Në fund i pandehuri N.P, theksoi se ai ishte i dënuar nga ish Gjykata Ushtarake e Jugosllavisë, nga viti 1981 deri në vitin 1984.

Për arrestimin e të pandehurit KALLXO.com raportoi mbrëmë.

http://kallxo.com/arrestohet-i-dyshuari-per-vrasjen-e-donjeta-pajazitit/