I akuzuari Naser Pajazitaj, i dyshuar për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, mbrohet në heshtje
Naser Pajazitaj, i cili akuzohet se e ka vrarë Donjeta Pajazitajn, ka dalur sërish para gjykatësit për t`u përballur me aktakuzën e Prokurorisë së Pejës.
Ai akuzohet se në mënyrë dinake e kishte vrarë Donjeta Pajazitajn. Seanca e sotme ka qenë e paraparë që të mbahet sot me fillim nga ora 10:00, në Gjykatën e Ferizajt, mirëpo e njëjta ka filluar tek në ora 13:00. E gjitha kjo pasi anëtari i trupit gjykues Sahit Krasniqi ishte i angazhuar me punë të tjera në cilësinë e ushtruesit të detyrës së kryetarit të Gjykatës së Ferizajt.
Në seancën e sotme është dashur ta jep mbrojtjen e tij i akuzuari Naser Pajazitaj, por që i njëjti ka deklaruar se do të mbrohet në heshtje.
“Unë jam konsultuar mjaftueshëm me avokatët e mi dhe kam vendosur që të mbrohem në heshtje. Unë kam dhënë deklaratë në Polici dhe në Prokurori si i pandehur dhe aty edhe e kam paraqitur mbrojtjen time, andaj tani e shfrytëzoj të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje”, tha shkurt i akuzuari Pajazitaj.
Fjala përfundimtare në këtë rast do të jepet më 24 maj.
Sipas Prokurorisë përderisa Donjeta ishte duke shkuar në punë, i akuzuari Naser Pajazitaj ishte ndalë me veturë dhe e kishte marrë Donjetën duke e dërguar tek vendi ‘Kroi i lajthisë’, ku më pas me dy plumba në kokë e kishte privuar nga jeta.
Por për këto akuza, Gjykata Themelore në Pejë në mungesë të provave e kishte liruar Naser Pajazitajn nga akuzat, mirëpo me ketë vendim nuk ishte pajtuar Gjykata e Apelit, e cila kishte vendosur që çështjen ta kthejë edhe një herë në gjykim.
Pas rigjykimit Pajazitaj ishte dënuar me burgim të përjetshëm, vendim ky i cili në muajin korrik të vitit 2019 edhe ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit.
Gjykata e Pejës kishte kërkuar që të përjashtohet nga ky rast pasi kishte marrë dy vendime skajshmërisht të ndryshme, me njëri tjetrin, me njërin duke e liruar, kurse me vendimin tjetër e kishte dënuar me burgim të përjetshëm.
Tani, pasi Gjykata Supreme i kishte prishur të dy vendimet e Gjykatës së Pejës (edhe atë të lirimit edhe atë të dënimit me burgim të përjetshëm), lënda është duke u gjykuar në Gjykatën e Ferizajt.
Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast:
Vrasja e Donjeta Pajazitajt, rrëfehet në gjykatë gruaja e të akuzuarit Naser Pajazitaj