Ministrja Haxhiu reagon pas vendimit të Supremes për lirimin nga akuza të Naser Pajazitajt

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka quajtur të papranueshëm vendimin e Gjykatës Supreme për lirimin nga akuza të Naser Pajazitajt të akuzuarit për vrasjen e Donjeta Pajazitaj.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, ministrja Haxhiu tha se për këtë janë të nevojshme reformat e qeverisë Kurti për drejtësi.

“Po i komentoj vendimet e gjykatës supreme sepse për mua është e papranueshme që një person i cili dënohet me burgim të përjetshëm, aq lehtësisht të lirohet nga akuza, ja pse reformat që kemi nisur si MD dhe si Qeveri e Kosovës janë të rëndësishme”- tha ajo.

Sot, Naser Pajazitaj , i dënuar për vrasjen e Donjeta Pajazitaj, është liruar nga akuzat për vrasje nga Gjykata Supreme.

Në maj të vitit 2021, Gjykata në Ferizaj në rigjykim kishte dënuar me burgim të përjetshëm të akuzuarin Naser Pajazitajn.

Sipas aktakuzës së vitit 2017, përderisa Donjeta Pajazitaj ishte duke shkuar në punë, i akuzuari Naser Pajazitaj ishte ndalur me veturë dhe e kishte marrë Donjetën duke e dërguar tek vendi ‘Kroi i Lajthisë’.

Tutje sipas aktakuzë i pandehuri me dy plumba në kokë e kishte vrarë e më pastaj për të humbur gjurmët e tashmë të ndjerës, të njëjtën e kishte mbuluar me drunj dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Por për këto akuza, Gjykata Themelore në Pejë në mungesë të provave në vitin 2018 e kishte liruar Naser Pajazitajn nga akuzat, mirëpo me ketë vendim nuk ishte pajtuar Gjykata e Apelit, e cila kishte vendosur që çështjen ta kthejë edhe një herë në gjykim.

Pas rigjykimit Pajazitaj ishte dënuar me burgim të përjetshëm, vendim ky i cili në muajin korrik të vitit 2019 edhe ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit.

Më pas, Gjykata Supreme në nëntor të vitit 2019 i kishte prishur të dy vendimet e Gjykatës së Pejës, edhe atë të lirimit edhe atë të dënimit me burgim të përjetshëm.

Në këtë situatë, Gjykata e Pejës ishte përjashtuar nga gjykimi dhe lënda i ishte deleguar Gjykatës së Ferizajt.

Gjykata Supreme liron Naser Pajazitajn nga akuza për vrasjen e Donjeta Pajazitajt