Arkiv - Pamje nga takimi i Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës - Foto: Facebook

FGK Ndan 64 Mijë Euro për Organizatat e Grave

Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) shpalli sot zyrtarisht përfituesit e granteve të Fondit të Grave të Kosovës.

Vlera e 14 granteve që iu ndanë 17 organizatave anëtare të këtij rrjeti është 64 mijë euro.

Këtë vit Fondi i Grave të Kosovës është mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Agjencia Austriake për Zhvillim (Austrian Development Agency, ADA).

Dario Di Benedetto, përfaqësues i Zyrës së BE-së, tha se këto fonde luajnë rol në një shoqëri, rezultatet e të cilave nuk janë menjëherë të dukshme por do të shihen në të ardhmen.

“Ky përparim në asistencën e donatorëve do t’i ndihmojë gratë e Kosovës dhe rrjetin e tyre në përfaqësimin gjinor, në politikëbërje, diskriminim dhe në mbrojtjen e viktimave kundër dhunës”, tha Benedetto.

Albulena Zaimi, përfaqësuese e ADA-s, tha se kjo organizatë e ka mbështetur Rrjetin e Grupeve të Grave të Kosovës që nga viti 2013 dhe se fokusi i tyre është në jobarazinë gjinore.

Pjesë e këtij paneli ishin edhe përfaqësueset e organizatave të grave që kishin përfituar grante nga Fondi i Grave të Kosovës, të cilat falënderuan donatorët e këtij projekti dhe Fondin e Grave.

“40 gra do të përkrahen përmes këtij granti, gra që janë nëna vetëushqyese, kryefamiljare që kanë humbur burrat gjatë luftës” tha Veprore Shehu nga organizata “Medica Kosova”.

Fondi i Grave të Kosovës i RrGGK-së ofron grante të vogla për organizatat e grave që nuk kanë qasje në burime të tjera të financimit dhe të cilat kërkojnë të punojnë për të drejtat e grave, veҫanërisht për grupet që punojnë në vende rurale apo persona të margjinalizuar.

Që nga viti 2012, FGK ka përkrahur 83 organizata, me shumën prej 355.996 euro.

Redaktoi: Naser Sertolli