Bislimi: Për herë të parë janë ndarë mjete në këto përmasa për Luginën e Preshvës

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka thënë se për Luginën e Preshevës janë ndarë grante për projekte në vlerën mbi 1 milion euro dhe përkrahje financiare me bursë për studentët në shumë prej 1 mijë euro.

Sipas tij, për herë të parë janë ndarë mjete në këto përmasa për Luginën.

Bislimi ka thënë se zbatimi i projekteve përfituese fillon nga muaji janar.

“Përzgjedhja është përfunduar në baza meritore dhe duke patur parasysh tre kritere: arsyeshmërinë e buxhetit, kapacitetin për zbatim të projektit të propozuar dhe relevancën e projektit me kërkesat e thirrjes”- ka shkruar ai.

Tutje ai ka thënë se Qeveria ka siguruar e dërguar për herë të parë libra në gjuhën shqipe për nxënësit e Luginës së Preshevës, në vlerën prej 255 mijë eurove.

“Në muajin qershor e atë tetor, kemi ndarë respektivisht 50 mijë dhe 35 mijë euro të tjera shtesë. Gjatë shtatorit, së bashku me ministren Nagavci, vizitova Preshevën, Medvegjën e Bujanocin ku i shpërndamë dhe tekstet shkollore për nxënësit”- ka shkruar ai.

Ai ka shtuar se Qeveria e Kosovës e ka mbajtur për ndarjen e mjeteve për Luginën e Preshevës.

“Jemi angazhuar për drejtësi e transparencë, për shpërndarje të barabartë. E dimë që Lugina e Preshevës ka nevojë për më shumë, andaj dhe ne do vazhdojmë të përkushtohemi që brenda kapaciteteve tona, të bëjmë më shumë e të bëjmë më mirë”- ka thënë ai.