Foto: MINT

"Politika industriale 2030", Ministria ndan 400 mijë euro për të mbështetur bizneset për certifikimin e produkteve

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve (KIESA) ka nisur fazën e parë të zbatimit të “Politikës industriale 2030”, me ç’rast në fazën e parë janë ndarë 400 mijë euro grante për certifikimin e produkteve për bizneset kosovare që kanë për qëllim eksportin.

Përmes një komunikate për media, Ministria bëri të ditur se në këtë fazë të parë të grantit kanë përfituar 10 biznese.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) ka filluar zbatimin e Politikës Industriale sipas analizës së përformancës industriale dhe studimeve të zinxhirëve të vlerës për zhvillim industrial, duke mbështetur bizneset për certifikimin e produkteve, që kanë për qëllim eksportin përmes skemës financiare të granteve”- thuhet në njoftim.

Tutje, MINT thekson se nga marrëveshjet e nënshkruara përmes kësaj skeme bizneset do të përfitojnë menjëherë 80% të mjeteve, derisa pjesa tjetër prej 20% do të realizohet atëherë kur bizneset të përfundojnë procesin e certifikimit të produkteve për eksport.

Grantet u nënshkruan nga sekretari i MINT, Daut Latifaj, ndërkaq ministrja Rozeta Hajdari para përfaqësuesve të bizneseve tha se “Politika industriale”, zbatimi i së cilës po nis suksesshëm, ka krijuar një momentum të ri për bizneset, duke i përgatitur prodhimet vendore për tregun ndërkombëtar.

“Vitin e ardhshëm planifikohet që vlera e granteve vetëm për certifikim do të jetë mbi 1 milionë euro. Në kuadër të Politikës Industriale, bizneset do të bëhen të konkurrueshme në tregun rajonal dhe ndërkombëtar dhe do të jenë shtytës kryesor i zhvillimit social, ekonomik dhe mjedisor për Republikën tonë”- theksoi ministrja Hajdari.