President i Francës, Emmanuel Macron dhe paraardhësi i tij, François Hollande - Foto: Facebook

Emmanuel Macron Inaugurohet President i Francës

Plot një javë pas fitores së tij në zgjedhjet presidenciale, Emmanuel Macron ka marrë detyrën e presidentit nga paraardhësi i tij, François Hollande.

Ceremonia është zhvilluar në pallatin presidencial Elysée.

Siç raporton “lefigaro.fr”, Macron është pritur në shkallët e presidencës nga François Hollande. Pas një shtërngimi duarsh, ata kanë hyrë në zyrën presidenciale ku kanë zhvilluar një takim gjatë të cilit Hollande ia ka dorëzuar pasardhësit të tij disa sekrete shtetërore, në mesin e të cilave edhe kodet e armës nukleare.

Më pas, François Hollande është përcjellë deri te vetura e tij nga presidenti i ri, Emmanuel Macron, i cili i ka duartrokitur sikurse edhe personeli i pallatit presidencial.

“Po e lë Francën në gjendje më të mirë nga ajo që e kam gjetur”, ka thënë tashmë ish-presidenti Hollande.

Edhe presidenti i ri e ka mbajtur fjalimin e tij inaugurues.

Emmanuel Macron është zgjedhur një javë më parë president i Francës pas rrethit të dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Ai është presidenti më i ri në moshë në historinë e Francës.

http://kallxo.com/emmanuel-macron-zgjidhet-president-frances/