Gjykata e Qarkut në Zagreb

Dy paramilitarë serbë dënohen për vrasje të kroatëve

Gjykata e qarkut të Zagrebit të hënën dënoi Dusan Zharkoviqin dhe Bogdan Jednakun, dy ish-paramilitarë nga shteti i panjohur serb i Kroacisë i kohës së luftës gjatë viteve 1990, Republika e Krajinës Serbe, me nga 15 vjet burg secili.

Të dy burrat, të cilët u gjykuan në mungesë pasi nuk janë më në Kroaci, u shpallën fajtorë për pjesëmarrje në vrasjen e 21 fshatarëve kroatë në Josevica në dhjetor 1991.

Të akuzuarit, së bashku me autorë të tjerë të panjohur, shkuan nga shtëpia në shtëpi, duke vrarë njerëz në gjumë duke përdorur armë të pajisura me silenciatorë.

Nga 21 të vrarët, njëri ishte i mitur. Një grua 70-vjeçare arriti të mbijetojë megjithëse u qëllua në gojë, në dorë dhe në shpatull.

Duke lexuar vendimin, kryetari i trupit gjykues Tomislav Jurisa tha se ishte “një nga krimet më të tmerrshme” të kryera gjatë luftës.

Në shpjegimin e tij në lidhje me vendimin, Jurisa tha se krimi ishte “i planifikuar me kujdes” nga strukturat ushtarake, politike dhe të inteligjencës së Republikës së Krajinës Serbe dhe se autorët ishin përzgjedhur me kujdes për operacionin.

Sipas gjykatës, policia e Republikës së Krajiinës Serbe u përpoq të hetonte krimin, por ata u ndalën nga lidershipi politik dhe i inteligjencës i territorit rebel.

Gjykata vërtetoi se motivi i krimit ishte të kanoste komunitetin e mbetur kroat në rajonin e Banovinës në Krajinë.

Tre anëtarë të tjerë të njësisë të cilët gjithashtu u gjykuan në mungesë të tyre bashkë me Zharkoviqin dhe Jednakun – George Nashid Kamal, Miroslav Malobabiq dhe Dejan Sladoviq – u liruan nga akuzat nga gjykata e Zagrebit.

Gjykata vërtetoi se nuk kishte prova thelbësore se ata morën pjesë në krim.

Burrat e dënuar kanë të drejtë të apelojnë.