Foto nga Policia e Shtetit - Droga e konfiskuar

Durrës, tre kosovarë kapen me 15 kg drogë

Tre persona nga Kosova dhe Serbia janë arrestuar nga Policia Kufitare e Shqipërisë në portin e Durrësit, pasi janë kapur me mbi 15 kilogram drogë të llojit marihuanë.

Policia Kufitare e Shqipërisë ka njoftuar se mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative, godet një tentativë të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

“Gjatë kontrollit të detajuar në vijën e dytë duke përdorur qenin antidrogë dhe më pas edhe gjatë skanimit, në një mjet i cili ishte i ngarkuar në një karotrec që drejtohej nga shtetasi B. S., Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale rreth 15 kilogramë lëndë narkotike e llojit Marihuanë”, thuhet në njoftimin e Policisë së shtetit.

Policia ka njoftuar se: “Në vendngjarje ka arritur grupi hetimor dhe Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, ku në përfundim të veprimeve të para hetimore bën arrestimin në flagrancë të shtetasve B.S., si dhe të dy pasagjerëve D.A. e D.S., banues në Kosovë, Serbi, Kosovë”, ka njoftuar Policia shqiptare, e cila ka bërë të ditur se hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë dhe Policinë e Kosovës për zbardhjen e plotë të këtij rasti.