Ilustrim

Drejtori: Ka Mungesë të Barnave Esenciale në QKUK

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Basri Sejdiu, tha sot se Qendra Klinike Universitare (QKUK) është duke u përballur edhe më tej me mungesë të barnave nga lista esenciale.

Këto komente Sejdiu i ka bërë në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa ku e paraqiti raportin financiar të këtij institucioni për vitin 2016.

“Është lista esenciale që në atë listë nuk ka barna që duhen në përdorim të përditshëm. Ministria (e Shëndetësisë) është në përpjekje me e rregullu këtë çështje”, tha Sejdiu.

Por menaxhmenti i këtij institucioni u kritikua nga deputetët anëtarë të Komisionit për barnat dhe zbatimin e rekomandimeve të ngritura nga Auditori i Përgjithshëm.

Deputeti i PDK-së, mërgim Lushtaku, tha se mbi 1 milion euro në pajisje janë buxhetuar gabimisht.

“Kemi gjetë nivel të ulët të zbatimit të rekomandimeve paraprake. Mangësi tjetër është gjetur edhe te mbajtja e kujdestarive”, tha ai.

Për Shqipe Pantinën e Vetëvendosjes, problemet në QKUK janë të njohura për secilin.

“Nuk ka nevojë me lexu raporte për shkak të ndoshta të përvojave apo te çështjet familjare dhe i kemi provuar shërbimet. Problemi kryesor për mua është menaxhimi i barnave. Kjo është raportuar edhe të raporti i auditimit. Mungon një sistem i mirëfilltë se kah po shkojnë këto barna. Kjo është çështja që preokupon”, tha Pantina.

Deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj, ishte edhe më i drejtpërdrejtë.

“Në rrjetin e spitaleve ka shpërdorim te financave”, tha Nitaj.

Ndërsa Avdullah Hoti i LDK-së dha vërejtje për blerjet të cilat, sipas tij, kanë ndodhur në mënyrë të parregullt.

“Për mua është e papranueshme nëse pranohet malli dhe shërbimi ndersa pas 3 a 6 muajve lëshohet urdhërblerja”, tha Hoti.