Prishtina, e dekoruar në Ditën e Europës.Foto: Kallxo.com

Dita e Europës, Festa që Festohet Vetëm në Kosovë

Nuk dihet cila ka qenë ideja kur ishte vendosur që 9 Maji – Dita e Europës të futej në listën e festave zyrtare, por me këtë veprim shteti i Kosovës po del më europian se europianët.

Republika e Kosovës është vendi i vetëm në kontinentin e vjetër që për Ditën e Europës pushon.

Asnjë vend tjetër i Europës, as ata që i vunë themelet e Bashkimit Europian, nuk pushojnë në këtë ditë, përveçse nëse bie ditë vikendi.

E bënë për t’u hyrë në hatër institucioneve europiane apo për të dëshmuar gjoja përkushtimin për integrimin në Europën e bashkuar apo nga mosdija, kjo mbetet të shihet. Por, që të zgjedhurit e popullit realizuan një huqje të madhe kur vendosën ta fusin edhe këtë festë në Ligjin e festave zyrtare kjo punë shihet ashiqare.

Sidomos tani kur po shihet faqe botës se sa larg jemi nga ëndrra europiane dhe kur kemi filluar ta shohim veten në pasqyrën që na e mban përpara Brukseli.

Për shkak se të zgjedhurit e tyre nuk i përmbushën kriteret e kërkuara nga BE, kosovarët janë të vetmit qytetarë europianë që për të shkuar në Europë duhet të presin me muaj të tërë për termin për vizë, duhet të presin me orë të tëra në rresht para ambasadave, në borë, shi e diell përcëllues.

Të gjendur para një situate të tillë, pra kur liberalizimi i vizave nuk shihet në horizont, deputetët e Kuvendit të Kosovës do ta shqyrtojnë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në seancën e 11 majit.

Me siguri dikush ka menduar të propozojë heqjen nga lista e festave zyrtare të Ditës së Europës. Pak për shkak se po dukemi qesharakë me festimin e kësaj feste e pak në shenjë revolte nga mosheqja e vizave.

Por, a do të ndodhë kjo pritet të shihet. Gjasat janë që deputetët aktualë, këta që dështuan të sigurojnë heqjen e vizave për qytetarët që përfaqësojnë, të mos e kenë mundësinë e votimit në seancën e paraparë për të enjten.

Kështu, 9 Maji – dita që konsiderohet si guri i themelit i Bashkimit Europian mund të vazhdojë të mbetet festë zyrtare në Republikën e Kosovës deri në momentin kur do të vendosë legjislatura e ardhshme.

Prandaj, Dita e Europës, ajo që na kujton deklaratën e 9 majit 1950 të ministrit të atëhershëm francez të Punëve të Jashtme, Robert Schuman, që konsiderohet si teksti themeltar i BE-së, do të vazhdojë të frymëzojë qytetarët e Kosovës vetëm në teori. Përjetimi i Europës në praktikë është i pamundur dhe për këtë është vetëm një përgjegjës – politika kosovare.