Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Si e zuri Dita e Evropës Kosovën këtë vit?

Ndryshe prej viteve të tjera, këtë vit 9 maji Kosovën e ka zënë dy hapa ‘më afër’ kontintetit që i përket, Evropës. 

Pas shumë zvarritjesh, në muajin e katërt të vitit Kosova mori dy lajme të mira në rrugën drejt integrimit evropian. Pas më shumë se 10 vite pritje, më 19 prill, Parlamenti Evropian miratoi vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, gjë që shënon përmbylljen e procedurave vendimmarrëse për këtë çështje. 

Ndërkaq, më 24 prill, Komiteti i Ministrave mori vendim që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës aplikimin e Kosovës për anëtarësim.

Vizat realitet

Në mes të prillit, presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola dhe ministrja e Suedisë, Jessika Rosëall, e cila e përfaqëson Këshillin e Bashkimit Evropian nënshkruan vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Miratimi u bë pa votim, pasi nuk kishte asnjë kundërshtim.

Ky vendim shënoi hapin e fundit e procesit të liberalizimit të vizave, i cili ka zgjatur prej kur ka filluar dialogu për liberalizimin e vizave për kosovarët, më 19 janar 2012.

Meqë afati për funksionalizimin e ETIAS-it është shtyrë për në vitin 2024, heqja e vizave për qytetarët e Kosovës pritet të bëhet më 1 janar të vitit të ardhshëm.

Në një takim të grupit punues për viza të Këshillit të BE-së, të mbajtur më 13 tetor 2022, Franca kishte porpozuar që liberalizimi i vizave për Kosovën të lidhet pikërisht me funksionalizimin e ETIAS-it.

Ky sistem elektronik mundëson verifikimin e të dhënave të qytetarëve të vendeve të treta, që nuk nevojë për vizë, për të hyrë në Zonën Schengen.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cilësoi këtë vendim si “fitore” jo vetëm për Kosovën, por edhe “për vetë demokracinë dhe unitetin në Evropë”.

Liberalizimi i vizave do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë lirshëm në zonën Schengen. Kjo zonë përbëhet prej 27 shtetesh evropiane.

Liberalizimi u mundëson qytetarëve udhëtime pa viza vetëm deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh, që shërbën për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme, po jo për leje pune.

Deri te ky vendim qytetarët e Kosovës ishin dëshpëruar e vazhdojnë të presin deri më janar para dyerve të ambasadave për një vizë. 

Sipas të dhënave të Grupit për Ballkanin (BRPG), 60% e kosovarëve kanë kërkuar vizë Schengen, që mundëson lëvizjen e lirshme në vendet e BE-së, për vizita turistike. Interesimi i kosovarëve për të vizituar vendet e BE-së kishte qenë në rritje deri në vitin 2020.

Sipas këtyre të dhënave, qytetarët e Kosovës kanë paguar mesatarisht 165 euro për aplikimin për një vizë Schengen.

E më i mundimshëm ishte fakti që çdo herë shtoheshin ‘kritere të reja’ për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Në qershor 2012, Komisioni i paraqiti Kosovës një Udhërrëfyes për Liberalizimin e Vizave, i cili identifikoi legjislacionin dhe masat institucionale që Kosova duhej të miratonte dhe të zbatonte për të avancuar drejt liberalizimit të vizave.

Udhërrëfyesi përcaktonte një listë gjithëpërfshirëse të reformave, duke përfshirë ri-integrimin dhe ripranimin, sigurinë e dokumenteve, menaxhimin e kufirit dhe të migracionit, azilin, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe të drejtat themelore që lidhen me lirinë e lëvizjes.

Komisioni ka miratuar 4 raporte për progresin e arritur nga Kosova në dialogun për vizat, si dhe ka paraqitur propozimin e tij për heqjen e kërkesave për viza për qytetarët e Kosovës më 4 maj 2016.

Propozimi u bazua në arsyetimin se deri në kohën kur propozimi të miratohet nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli, Kosova do ta kishte ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe do të forconte arritjet e saja në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, pra dy standardet përfundimtare.

Kosova arriti që pas shumë seancash me gaz lotsjellës e kundërshtime të ratifikoi marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi.Mirëpo qytetarët e Kosovës, të vetmit në rajon, nuk e patën mundësinë të udhëtojnë pa viza në vendet e zonës Schengen.

Një hap drejt Këshillit të Evropës

Pak ditë pas lajmit për liberalizim të vizave, Kosova më 24 prill bëri një hap më afër anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Komiteti i Ministrave mori vendim që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës aplikimin e Kosovës për anëtarësim.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla këtë hap e konsideroi si historik.

Kryeministri Albin Kurti e komentoi këtë votim duke thënë se Kosova “do të jetë një vlerë e shtuar për Këshillin e Evropës”.

Pothuajse një vit më parë, më 12 maj 2022, Kosova dorëzoi kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës fillimisht duhet të merret nga Komiteti i Ministrave dhe pas vlerësimit të situatës në Kosovë fjalën e fundit e ka Asambleja Parlamentare e cila përbëhet nga përfaqësuesit e shteteve anëtare.

Këshilli i Evropës i themeluar më 1949 është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.

Këshilli i Evropës u ndihmon vendeve anëtare që të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin si dhe që të kryejnë reformat e duhura gjyqësore. 

Organi më i njohur i kësaj organizate është Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut e cila funksion në bazë të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Grupi i saj i ekspertëve për Kushtetutë, i njohur si Komisioni i Venecias, ofron këshilla ligjore për shtete të ndryshme në botë.

Nga 46 vende, vetëm Armenia nuk mori pjesë në votim ndërsa 33 vende votuan pro, 7 votuan kundër, ndërsa abstenuan 5 vende.Vendet që votuan kundër janë kryesisht vende që nuk e njohin as pavarësinë e Kosovës. 

Azerbajxhani, Qipro, Gjeorgjia, Hungaria, Rumania, Serbia dhe Spanja votuan kundër Kosovës.

Hungaria është ne mesin e vendeve të cilat votuan kundër anëtarësimit të Kosovës, ani pse pavarësinë e Kosovës e ka njohur që nga viti 2008.

Vendet që abstenuan në votimin për Kosovën ishin Bosnja, Greqia, Moldavia, Sllovakia dhe Ukraina.