Visar Prebreza: Duhet të ndryshojë Ligji që 9 maji të jetë pushim dhe bartja e ditëve të festave

Eksperti i hetimeve financiare dhe njohësi i fushës së prokurirmit Visar Prebreza nga BIRN-i ka thënë se Kosova pushon më 9 maj si shkak i një ligji prej shpalles së pavarësisë.

Ai në emisionin #KallxoPernime potencoi se problem tjeter i atij ligji është edhe bartja e ditëve të festave nga vikendi në ditët e punës që bëhet edhe në vende tjera.

“Ne pushojmë më 9 maj për shkak se e kemi një ligj që na ka mbetur qysh prej shpalljes së pavarësisë dhe ndryshimi i tij duhet me votën e shumicës së minoriteteve. Ligjet janë vendos në flug pas shpalljes së pavarësisë. Ky nuk është problemi i vetëm i atij ligji, pasi pushimi bartet edhe në shumë vende tjera, nëse qëllon fundjavë”, ka thënë Prebreza.

Sipas tij, ky ligj po pengon në funksionim të bizneseve por edhe po krijon dallime mes sektorit publik dhe privat.

“Kjo po pengon funksionimin e bizneseve, po ashtu ditë të tilla po krijojnë një lloj disbalanci mes personave që punojnë në sektorin publik dhe atyre në privat. Personat që punojnë në sektorin privat, një pjesë e madhe nuk i kanë këto ditë pushimi, ata të sekorit publik i kemi parë nëpër pushime”, ka thënë Prebreza.

“Mendoj se është një prej atyre ligjeve që duhet të ndryshojë urgjentisht, qoftë për të hequr këtë ditën e 9 majit që nuk pushojnë as Evropianët, qoftë ndryshim të nenit për bartje të pushimeve”, theksoi Prebreza.