Bodo Weber - Foto: KALLXO.com

Dhuna “Mund të Jetë Zgjidhja e Vetme” për Kosovën

Bodo Weber nga Këshilli për Demokratizim të Politikave (Democratization Policy Council), një nismë botërore me seli në SHBA që promovon llogaridhënie në politikat perëndimore, druan se zgjidhjet paqësore nuk janë më të mundshme.

“Kriza politike në Kosovë duket si një bllokadë e plotë”, tha ai për BIRN.

Deputetët e opozitës kanë hedhur gaz lotsjellës si pjesë e fushatës së tyre të dhunshme kundër marrëveshjeve me Serbinë dhe Malin e Zi, të ndërmjetësuara nga Brukseli.

Weber tha se terreni për krizën ishte përgatitur vitin e shkuar, kur një bllokim 6-mujor pas zgjedhjeve të përgjithshme e bëri pothuajse të pamundur formimin e një qeverie të re.

“Të vënë me shpatulla për muri, pasi ishin penguar nga dy vendime qartazi të motivuara politikisht të Gjykatës Kushtetuese për të formuar qeveri me shumicën e tyre parlamentare vitin e kaluar, opozita zgjodhi rrugën e vetme që i mbeti – taktikat jashtë-parlamentare”.

Analistët në Kosovë dhe jashtë saj thanë atëherë se ndërhyrja e Perëndimit pati rolin kryesor në përjashtimin e lëvizjes nacionaliste Vetëvendosje nga qeveria.

Weber thotë se sot ka shumë pak hapësirë manovrimi për një zgjidhje pa ndërhyrje të mëtejshme nga Perëndimi.

“Por, duke qenë se mbështetën mënyrën e dyshimtë sesi koalicioni qeverisës u formua, BE-ja dhe SHBA-të e kanë diskretituar veten thellësisht si ndërmjetës të ndershëm për një zgjidhje të mundshme”, tha ai.

Zyrtarët perëndimorë nuk e kanë fshehur brengosjen e tyre ndaj taktikave të opozitës.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, i kritikoi partitë opozitare për bllokimin e punës së Kuvendit dhe mbështeti marrëveshjet kontroversiale gjatë vizitës së tij të 3 dhjetorit në Kosovë.

“Mos u gaboni, ne nuk do të mbështesnim asnjë lloj marrëveshjeje që do të rrezikonte sovranitetin, sigurinë dhe pavarësinë e Kosovës”, tha Kerry.

Megjithatë, Vetëvendosje pretendon legjitimitet për veprimet e saj, duke u mbështetur te më shumë se 200 mijë nënshkrimet e qytetarëve në peticionin kundër marrëveshjeve.

Do të jetë shumë e vështirë për Perëndimin që qoftë edhe privatisht të pranojnë se kanë bërë një gabim, në mënyrë që të fillojnë të pastrojnë rrëmujën që shkaktuan vitin e shkuar. Kjo përbën një koktejl shumë të rrezikshëm”, tha Weber.

“Mendoj se në një situatë ku asnjë prej aktorëve nuk është i aftë ose i gatshëm të lëvizë, do të jetë dhuna ajo që do të sjellë ndryshim”, theksoi ai.

Weber kujtoi ngjarjet e verës së vitit 2011, kur dhuna në Kosovën veriore e shtyu Kancelaren Gjermane Angela Merkel që t’i printe çështjes Kosovë-Serbi.

“Nganjëherë vetëm dhuna dhe vëmendja e medias perëndimore që e pason, mund ta lëvizë Perëndimin që të heqë dorë nga një politikë e dështuar dhe të fillojë të veprojë seriozisht”, tha Weber.

Ai pranoi se ky është një skenar që askush nuk dëshiron ta shohë.

“Por, marrë parasysh rrethanat, jam sinqerisht shumë i shqetësuar mbi mundësinë për dhunë serioze të mëtejshme”, përfundoi ai.