Gjykimi për korrupsion - Foto: KALLXO.com

Dështon seanca, Prokuroria nuk i pajisi të akuzuarit me shkresat e lëndës

Ka dështuar seanca gjyqësore në gjykimin ndaj të akuzuarave lidhur me regjistrimin e një parcele toke.

Ismet Mehmeti e Valmir Lleshaj akuzohen për legalizim të përmbajtjes së pavërtetë, kurse Natasha Maksimoviq, është e akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare përderisa ishte në pozitën e referentes në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Dega në Graçanicë.

Arsyeja për mosmbajtjen e seancës ishte se të akuzuarit nuk ishin të pajisur me shkresat e lëndës nga ana e Prokurorisë, si  dhe dy mbrojtësit e të akuzuarve Ismet Mehmeti dhe Natasha Maksimoviq nuk ishin prezentë.

Tre të akuzuarit në seancën e shqyrtimit fillestar kanë kërkuar që Prokuroria Themelore e Prishtinës t’i pajisë me provat të cilat gjenden në shkresat e lëndës.

I akuzuari Valmir Lleshaj ka deklaruar  se kishte qenë te prokurorja Dulina Hamiti, mirëpo e njëjta i ka thënë se nuk po i punon printeri për t’i bërë kopje dhe se do ta thërrasë për ta pajisur me provat.

Sipas të akuzuarit Lleshaj, e njëjta nuk e ka thirrur.

Njëjtë ka deklaruar edhe i akuzuari Mehmeti duke theksuar se ky ka qenë në Prokurori por me prova nuk është pajisur.

Edhe e akuzuara Natasha Maksimoviq ka deklaruar se ajo nuk është ftuar nga prokurorja për t’u pajisur me prova.

Kurse prokurorja Dulina Hamiti deklaroi se janë përgatitur kopjet për të akuzuarit dhe mund të shkojnë në zyrën e saj për t’u pajisur me prova.

Mirëpo me kërkesë të të akuzuarës Natasha Maksimoviq, kjo seancë e shqyrtimit fillestar është shtyrë.

E akuzuara Maksimoviq ka kërkuar që të shtyhet seanca fillestare, pasi nuk ishte i  pranishëm avokati i saj, ku deklaroi se ka caktuar një avokat për ta mbrojtur, por i njëjti nuk ka mundur të jetë i pranishëm në këtë shqyrtim fillestar, andaj ka kërkuar që shqyrtimi të mos mbahet në mungesë të tij.

Kurse, i pandehuri Ismet Mehmeti ia ka dorëzuar Gjykatës autorizimin për avokatin mbrojtës të tij,  Ekrem Agushin, ku njoftoi Gjykatën se i njëjti sot nuk ka mundur të jetë i pranishëm pasi që është në një shqyrtim tjetër.

Ndërsa  i akuzuari Valmir Lleshaj ka deklaruar se nuk ka angazhuar avokat dhe se nuk ka dëshirë të caktojë, sepse do mbrohet vetë.

Gjykatësja Naime Krasniqi- Jashanica ka aprovuar kërkesën e të akuzuarës Maksimoviq për shtyrje të seancës.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 26 mars.

Sipas aktakuzës i pandehuri Ismet Mehmeti akuzohet se ka shkuar në degën e ish-Gjykatës Komunale në Prishtinë – Dega në Graçanicë, dhe më 16 gusht 2012, ku ka paraqitur dhe vërtetuar autorizimin e falsifikuar për bartjen e paluajtshmërisë të të dëmtuarve, Tomisllav Arsiq dhe Bozhidar Arsiq, paluajtshmëria në fjalë, sipas aktakuzës, gjendet në zonën kadastrale “Zllatar”, Komuna e Prishtinës.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Ismet Mehmeti dhe Valmir Lleshaj, më 21 gusht 2012, hartojnë kontratën mbi shitblerjen e paluajtshmërisë së lartcekur, me sipërfaqe prej 13271 m2, pronë e të dëmtuarve Tomisllav Arsiq dhe Bozhidar Arsiq, ashtu që të akuzuarit e vënë në lajthim referentin për legalizim të dokumenteve për të vërtetuar një çështje të pavërtetë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit e vërtetojnë kontratën në fjalë me vlerë prej 9.500 euro me autorizimin e lartcekur të falsifikuar, ku më pas  i akuzuari Valmir Lleshaj më 7 shtator 2012, paraqet kërkesë për bartjen e paluajtshmerisë në fjalë në emër të tij, me ç‘rast vë në lajthim edhe personat e autorizuar në Komunën e Prishtinës, ku edhe ka arritur të bëjë bartjen e paluajtshmërisë në fjalë, në emër të tij. Për këtë veprime  të pandehurit Ismet Mehmeti dhe Valmir Lleshaj akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – legalizim i përmbajtjes së pavërtetë.

Kurse sipas aktakuzës e pandehura Natasha Maksimoviq, se në cilësinë e personit zyrtar, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete apo për personin tjetër, si referente në Gjykatën Komunale në Prishtinë, dega Graçanicë, më 16 gusht 2012, me vulë zyrtare e vërteton autorizimin e falsifikuar të paraqitur nga i akuzuari, Ismet Mehmeti.

Në aktakuzë thuhet se në bazë të këtij autorizimi që vërtetohet me numër, Vr.nr.4801/2012, sipas aktakuzës, vërtetohet pastaj edhe kontrata në vlerë prej 9.500 euro mbi shitblerjen e paluajtshmërisë në sipërfaqe prej 13271 m2, pronë e të dëmtuarve Arsiq. Me këtë rast, e akuzuara Maksimoviq, akuzohet se ka kryer veprën penale – keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar.