Foto-ilustrim

Prek fundin gjykimi i zyrtarit të Komunës së Prishtinës, nesër shpallja e aktgjykimit

Në Gjykatën e Prishtinës palët sot kanë dhënë fjalën përfundimtare në gjykimin e Gëzim Ferizit, zyrtar në Drejtorinë e Urbanizmit të Komunës së Prishtinës, i akuzuar për manipulim me leje ndërtimore.

Prokurorja e çështjes, Dulina Hamiti, tha se qëndron mbrapa aktakuzës për keqpërdorim të detyrës zyrtare të ngritur ndaj të akuzuarit.

Prokuroria e akuzon Gëzim Ferizin se duke shfrytëzuar autoritetin e tij zyrtar ka përpiluar dy aktvendime të lejeve ndërtimore për ndërtimin e objekteve banesore afariste, objekti A dhe C, në lagjen ”Mati 1”, në Prishtinë.

Skender Musa, avokat i të akuzuarit, fjalën përfundimtare e kishte dorëzuar me shkrim por ai kërkoi nga Gjykata që të mbrojturin e tij ta lirojë nga akuza mbi bazën se Prokuroria nuk e ka hetuar rastin dhe tërë akuzën e ka mbështetur në dëshmitë e dëshmitarëve.

“Prokurorja  nuk e ka hetuar fare këtë çështje dhe tërë akuzën e ka mbështetur në dëshmitë e dy dëshmitarëve” – tha avokati Musa.

Gëzim Ferizi gjithashtu akuzohet nga Prokuroria se ka përpiluar edhe një aktvendim tjetër të lejes ndërtimore, ku investitor është “NNH Morina IB” për objektin B, në lagjen “Mati 1”.

Sipas aktakuzës, pjesa tekstuale e lejes ndërtimore nuk përputhet me pjesën grafike, pasi në pjesën grafike kishte përfshirë një ngastër kadastrale, e cila evidentohet në Komunën e Prishtinës si rrugë.

Mbi këtë rrugë u është mundësuar investitorëve të lartcekur të ndërtojnë objekte banesore e afariste, me ç’rast të dëmtuarës Komunës së Prishtinës i ka shkaktuar dëme të konsiderueshme.

Pas seancës së sotme, gjykata mori vendim se shpallja e vendimit mbi këtë gjykim do të bëhet nesër.