Dëshmitari i Mbrojtur Flet për Rrugën e Drogës

Dëshmitari K1 tha se të gjitha këto droga të përmendura ishin të Naser Kelmendit dhe një personi tjetër, ndërsa tregoi se ai ka punuar për Kelmendin.

K1 e përmendi një takim në Pejë ku kishte marrë pjesë Naser Kelmendi dhe dy persona që ai i quajti milionerë.

Ai tregoi për një sasi droge të shpërndarë në Vitomiricë e Mitrovicë, ndërsa tha se 100 kilogramë nga droga që kishte arritur në Vitomiricë, shkoi në Holandë.

K1 tha se përzierja e drogave bëhej nëpër hotele e më pas shpërndahej nëpër shtete të ndryshme.

Dëshmitari foli edhe për një fletore të drogës

Në këtë fletore sipas dëshmitarit K1 shkruhej edhe destinacioni dhe kilogramët e drogës.

Në fletën ku shkruhet 150 kg. C. Angli dëshmitari tha se bëhej fjalë për 150 kilogramë të heroinës së pastër që kishin destinacion Anglinë.

“Kjo heroinë është e shtrenjtë dhe kur vinte te ne çmimi ka qenë 20 mijë euro për kilogram, pasi ka qenë e veçantë dhe kjo ka qenë arsye pse është destinuar për në Angli,” tha dëshmitari.

Heroina e tillë ka kërkuar paketim të veçantë, pasi ka aromë të veçantë dhe mund të kapet lehtë, shtoi ai.

Dëshmitari i mbrojtur K1 tregoi edhe për një kacafytje të Naser Kelmendit me një person tjetër.

Edhe personi me të cilin K1 tha se u kacafyt Kelmendi, është dëshmitar i mbrojtur i koduar me shifrën K2.

Sipas dëshmitarit K1, Kelmendi u kacafyt me K2 në një pyll për shkak të heroinës së keqe të ardhur nga Turqia.

Dëshmitari K1 tha se gjatë kësaj kacafytjeje të gjithë të pranishmit kishin armë. Ai tha se të tjerët janë munduar që t’i qetësojnë Naser Kelmendin dhe K2-në, duke kërkuar që K2 t’ia kthejë paratë për heroinën Naser Kelmendit dhe një personi tjetër.

Sipas dëshmitarit K1 droga e përzier me kafe kishte ardhur në Tuzëll, ndërsa dëshmitari tregoi se pas kësaj ishte ftuar në një takim në Sarajevë.

Dëshmitari K1 tha se i koduari tjetër me shifrën K2 ka shumë borxhe.

“Dëshmitari K2 e ka lënë peng banesën në Tuzëll qe kushton 300 -400 mijë euro për borxhin që kishte në vlerë 100 – 110 mijë euro”

Naser Kelmendi akuzohet për vrasje të rëndë, për krim të organizuar, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike dhe prodhim e përpunim të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike.

Shumë seanca të këtij gjykimi janë zhvilluar pa praninë e publikut.

Ai krahas shtetësisë kosovare e ka edhe atë boshnjake, ndërsa u arrestua nga policia e Kosovës në majin e 2013-ës, pasi u kërkua me fletarrest ndërkombëtar nga Bosnja.

Pasi Bosnja e Kosova nuk kanë marrëdhënie diplomatike dhe as marrëveshje ekstradimi, Kelmendi është duke u gjykuar në Kosovë, por ai ka akuzë edhe në Bosnjë.

Në Bosnjë Kelmendi po akuzohet për krim të organizuar, vrasje të mbetur në tentativë dhe për shitje e shpërndarje të substancave narkotike në Amerikën Latine, Turqi, Serbi, Kroaci dhe shtetet tjera të Evropës Perëndimore.

Kur iu lexua aktakuza më 16 janar, Kelmendi u deklarua i pafajshëm, ndërsa e cilësoi  aktakuzën një prodhim nga Bosnja.