Dëshmitarë nga PTK-ja në Gjykimin e Haxhës

Dy anëtarë të Bordit dhe dy punonjës të PTK-së dëshmuan në gjykimin e Shyqyri Haxhës, ish-kryeshefit ekzekutiv të kësaj ndërmarrjeje.

Haxha akuzohet se e dëmtoi PTK-në për 53 mijë euro, ndërsa në seancë dhanë dëshminë e tyre katër dëshmitarë të propozuar nga prokuroria.

Nuhi Ahmeti dhe Elmaze Pireva ish-anëtarë të Bordit të PTK-së, si dhe Naim Gashi e Rexhep Matoshi punonjës në PTK u mbetën besnikë deklaratave të dhëna në polici.

Haxha akuzohet se ka përfituar kundërligjshëm pagesën e qirasë dhe ngarkesave tjera në shumë prej 2 mijë eurove në muaj, derisa si drejtor ekzekutiv i PTK-së ndodhej jashtë vendit, duke zbatuar Rezolutën e Bordit të Drejtorëve të PTK-së të 14 korrikut 2009.

Gjatë seancës, punonjësi i PTK-së Naim Gashi u pyet nga prokurorja se i akuzuari a është dashur të ketë kontratë për qiranë.

“Është dashtë të ketë kontratë mbi qiranë,” u përgjigj Gashi.

Prokurorja pastaj e pyeti Gashin, nëse në rastin e Haxhës ekzistonte një kontratë e tillë.

“Mua nuk mu ka dokumentuar kontrata,” sqaroi Naim Gashi.

Dëshmitari Rexhep Matoshi i cili në PTK punon si mbikëqyrës i librit kryesor, tha se nuk i kujtohet nëse ka pasur pagesë në para të gatshme për këtë qira.

“Nuk më kujtohet që ka pasur ndonjë transaksion kesh në emër të qirasë,” tha dëshmitari Matoshi.

Në këtë seancë dëshmoi edhe ish anëtari i Bordit të PTK-së Nuhi Ahmeti që deklaroi se ish-kryeshefi kishte paraqitur kërkesë për pagesën e shpenzimeve të qirasë nga ndërmarrja.

“Mua më kujtohet se ka ardhur një kërkesë nga kryeshefi ekzekutiv për kompensimin e shpenzimeve të qirasë për Shyqyri Haxhën edhe për një Riçard, mbiemri nuk më kujtohet,” tha Ahmeti.

Në fund dëshmoi edhe anëtarja tjetër e bordit Elmaze Pireva, e cila tha se mbetet në tërësi pranë deklaratës së dhënë në polici.

Prokurori dhe avokati mbrojtës Ramë Gashi u pajtuan që edhe deklarata e dëshmitares Ajshe Murturi të konsiderohet si e lexuar.

Seanca e radhës u caktua në muajin tetor.

Haxha nga prokuroria akuzohet se në periudhën 2009-2011 ka keqpërdorur pozitën ngase ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme pagesën e qirasë dhe ngarkesave tjera në vlerë prej 2.000 eurosh për çdo muaj, e cila shumë arrin gjithsej 53.000 euro.

Sipas prokurorisë Haxha këtë keqpërdorim e ka bërë në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike, matricës së autorizimeve të datës 14 shtator 2009, duke e zbatuar Rezolutën e Bordit të Drejtorëve të PTK-së më 14 korrik 2009.

Kjo rezolutë rregullonte mbulimin e shpenzimeve për stafin e PTK-së që jeton jashtë vendit.  Prokuroria pretendon se 28 mijë nga 53 mijë eurot Haxha i ka tërhequr në para të gatshme, ndërsa pjesën tjetër prej 25 mijë eurove me anë të xhirollogarisë në TEB Bank.