Seanca ndaj ish-kryeshefit të PTK-së, Shyqri Haxha (04.10.2022), Foto: KALLXO.com

Mungojnë dy dëshmitarë, dështon të mbahet seanca ndaj ish-kryeshefit të PTK-së

Ka dështuar të mbahet seanca ndaj ish-kryeshefit të Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), Shyqri Haxha, i cili është i akuzuar për lidhjen e kontratës 9-milionëshe që sipas prokurorisë i ka shkaktuar humbje të madhe ndërmarrjes.

Seanca dështoi si pasojë e mungesës së dy dëshmitarëve të cilët ishin paraparë të dëgjohen sot.

Gjyqtari i rastit Sabit Sadikaj njoftoi se për këta dy dëshmitarë nuk ka prova se a i kanë pranuar ftesat andaj edhe e shtyu seancën e sotme.

10 vjet pas lidhjes së kontratës 9-milionëshe, Prokuroria e Prishtinës në vitin 2020 ka ngritur aktakuzë ndaj ish-Kryeshef Ekzekutiv të PTK-së, Shyqri Haxha, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale – lidhja e kontratës së dëmshme.

Sipas prokurorisë i akuzuari më 16 prill 2010, në cilësinë e Kryeshefit Ekzekutiv të Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës (PTK), me dashje dhe me qëllim që të shkaktojnë dëm material, duke mos marrë aprovimin nga Qeveria e Republikës së Kosovës, ka lidhur kontratë për faturim të ri me ç’ rast i ka shkaktuar humbje në shkallë të madhe PTK-së.

Ngase me kërkesë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, më 14 maj 2010 e ka shkëputur njëanshëm kontratën dhe është detyruar të paguajë shumën prej 9 milionë euro si dhe shpenzime tjera të cilat janë bërë lidhur me shkëputjen e kësaj kontrate. Vlera e përgjithshme ka arritur në 9,891,022.81 euro.