Telekomi i Kosovës, Foto: KALLXO.com

Telekomi i Kosovës reagon pasi ish kryeshefi i PTK-së u lirua nga akuza

Ndërmarrja Publike “Telekomi i Kosovës”,  ka reaguar pasi ish kryeshefi i PTK-së, Shyqri Haxha u lirua nga akuza se ka kryer veprën penale lidhja e kontratës së dëmshme, duke lidhur kontratë për faturim të ri pa pëlqim paraprak të aksionarit në këtë rast Qeverisë së Kosovës.

“Nënshkrimi i z.Shyqyri Haxha, i hedhur më 16.04.2010 në një kontratë në mes të Telekomit të Kosovës dhe “Amdocs Development Limited” për sistemin e ri të faturimit në korporatë (titulli origjinal: “PTK BILLING PLATFORM”) edhe sipas Gjykatës paska qenë vetëm ceremonial. Kur kjo ofrohet si arsyetim, natyrisht nuk ka si të mos e krijojë idenë se i njëjti qenka sjellë nga grupet e interesit, në krye të Telekomit të Kosovës, pikërisht për ceremoni dhe nënshkrime për të cilat askush nuk do të jetë përgjegjës”- thuhet në reagimin e Telekomit.

Sipas tyre, ky nuk është i vetmi nënshkrim “ceremonial” për të cilin Haxha nuk pranon përgjegjësi, edhe pse sipas reagimit të Telekomit, nga një kontratë tjetër e tillë, Telekomi i Kosovës është dëmtuar në vlerën prej mbi 100 milionë euro.

“Edhe për këtë kontratë (ajo me Z-Mobile), e cila për pak e fundosi Telekomin e Kosovës, deri më sot drejtësia kosovare jo vetëm që nuk arriti të nxjerrë përfundime, por as të hetojë seriozisht, edhe pse Telekomi i Kosovës tashmë i ka dorëzuar paditë/kallëzimet penale në institucionet përkatëse të drejtësisë”.

Një model të tillë Telekomi e ka konsideruar të papërgjegjshëëm dhe ka thënë se ky model ka vazhduar edhe pas kohës së Shyqri Haxhës në Telekom.

“Edhe më keq, jo vetëm në kohën e z.Haxha, modeli i tillë i papërgjegjësisë ishte prezent edhe pas kohës së z.Haxha në Telekom, dhe kompania publike u dëmtua pa u marrë askush në përgjegjësi edhe pse gjykatat konstatonin se për shkak të gabimeve të zyrtarëve të TK, duheshin paguar shuma enorme, partnerëve të dikurshëm në biznes. Ky model i “zhdëmtimit” ende po e kërcënon Telekomin e Kosovës dhe askush ende nuk dha llogari për nënshkrimet e tyre “ceremoniale”- thuhet në reagim.

Sipas Telekomit, me këtë lirim nga akuza, mesazhi që i përcillet publikut është se paranë publike nuk po e mbron askush, se vjedhja apo keqmenaxhimi i saj lejohet dhe se askush nuk do të dënohet.

Në reagimin e tyre Telekomi i Kosovës, ka konsideruar se askush nuk mund dhe nuk duhet të amnistohet për nënshkrimin e hedhur mbi një dokument me pasoja të rënda, apo për mospengimin e kryerjes së krimit, pa e konstatuar nëse i njëjti ishte i vetëdijshëm apo ishte në gjendje të pengonte kryerjen e krimit.

Tutje, kjo ndërmarrje ka konsideruar se në këtë proces, në të cilin Haxha është liruar nga akuza dhe përgjegjësia për dëmin e shkaktuar në rastin “Amdocs Development Limited”, nuk është trajtuar me seriozitetin e kërkuar vepra kriminale dhe se është amnistuar papërgjegjshëm njeriu kryesor i kompanisë në atë periudhë (Kryeshefi Ekzekutiv), pa mandatin e të cilit askush nuk ka mundur të nënshkruajë apo shkëpusë kontrata.

Kjo ndërmarrje ka kërkuar përgjegjësi për dëmet e shkaktuara.

“Shtrohet pyetje legjitime: Kush i bartë përgjegjësitë për pasojat e këtyre nënshkrimeve “ceremoniale”, e në rastin me “Amdocs Development Limited” kush është përgjegjës për një dëm të këtij niveli, kur kemi parasysh se kontraktori “Amdocs Development Limited”, as edhe një punë/detyrë të vetme kontraktuese, kurrë nuk e ka kryer/përmbushur në Telekom sipas Kontratës së nënshkruar?”.

Telekomi ka theksuar se mbi bazën e Vendimit të Arbitrazhit, është vërtetuar se bëhet fjalë për shkëputje të njëanshme të Kontratës, në kohën kur Haxha ishte Kryeshef Ekzekutiv i ish PTK Sh.A., prandaj “Amdocs Development Limited” ka iniciuar procedurën përmbarimore ndaj Telekomit të Kosovës në vitin 2015, ku pas përfundimit të procedurës përmbarimore, Telekomit të Kosovës i janë tërhequr mjete në lartësinë prej 9,891,022.81 euro.

“Pra, kush është përgjegjës për këtë marrëdhënie të filluar e të shkëputur nën udhëheqjen e TK nga ana e z.Haxha?”- është thënë në reagimin e Telekomit.

Ndër të tjera, Telekomi ka thënë se kryeshefi Ekzekutiv i një ndërmarrjeje publike nuk e ka mandatin vetëm të nënshkruajë dokumente por edhe të mos nënshkruajë nëse e konsideron të dëmshme për kompaninë.

Sipas telekomit, Haxha nuk mund të ikë nga përgjegjësia pa i emëruar përgjegjësit.

“Vlerësojmë se nuk mund të shkëputet asnjë kontratë pa aprovimin/shqyrtimin e tij. Ai është përgjegjës për veprimet dhe mosveprimet e veta. Ai nuk mund të ikë nga përgjegjësia pa i emëruar përgjegjësit. Nëse e kanë detyruar duhet të tregojë, kush e detyroi, apo anashkaloi, vetëm kështu mund të lirohet nga përgjegjësia ose së paku të zbutet pjesa e tij e përgjegjësisë”- është thënë në reagim.

Kjo ndërmarrje publike ka cilësuar se Udhëzimi i Gjykatës se, lidhur me Kërkesën pasurore-juridike, pala e dëmtuar (Telekomi i Kosovës Sh.A.) mund të iniciojë kontestin civil në gjykatën kompetente, turpëron gjyqësinë kosovare, amniston krimin.

“Me këtë mbushemi me dyshime se gjyqësia kosovare nuk ka kapacitete as kurajo të merret me krimin, madje as kur pala e dëmtuar-Telekomi i Kosovës Sh.A., me prova bindëse materiale ka provuar, arsyetuar dhe argumentuar kërkesën pasurore-juridike dhe faktin se bëhet fjalë për krim të rëndë ndaj pronës publike”- është thënë në reagim.

Këtë reagim Telekomi e ka përmbyllur duke thënë se është në dorën e sistemit të drejtësisë të reagojë dhe hetojë krimin, të zbulojë kryerësit dhe të dënojë ata për dëmet që ia shkaktuan një kompanie publike, me veprimet apo mosveprimet e tyre, qofshin ato individuale apo të organizuara.

Kjo ndërmarrje ka shtuar se mbi bazën e këtyre aktgjykimeve pastaj mund të iniciohet procedura zyrtare për kompensimin e dëmit qoftë nga kompanitë apo nga pasuria e individëve e krijuar në mënyrë të paligjshme.

Më 3 mars Gjykata në Prishtinë ka marrë vendim me të cilin e ka liruar nga akuza ish krye shefin e PTK-së Shyqri Haxha, pasi që veprimet e tij sipas Gjykatës nuk përbëjnë elemente të veprës penale.

Shyqri Haxha nuk ishte prezent gjatë shpalljes së aktgjykimit.

PTK për kërkesë pasurore juridike udhëzohet në kontest juridik civil.

I njëjti nga ana e prokurorisë po akuzohej se ka kryer veprën penale lidhja e kontratës së dëmshme, duke lidhur kontratë për faturim të ri pa pëlqim paraprak të aksionarit në këtë rast Qeverisë së Kosovës.

E ku më pas Aksionari ka bërë shkëputjen e njëanshme të kontratës  e cila ishte  lidhur me kompaninë Amdocs, e ku Qeveria e Kosovës është paditur në arbitrazh për kompensim të dëmit.

10 vjet pas lidhjes së kontratës 9-milionëshe, Prokuroria e Prishtinës në vitin 2020 ka ngritur aktakuzë ndaj ish-Kryeshefit Ekzekutiv të PTK-së, Shyqri Haxha, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale – lidhja e kontratës së dëmshme.