Shyqyri Haxha tregon si bëheshin punësimet në PTK

Ish-kryeshefi i PTK-së, Shyqyri Haxha, në emisionin “Kallxo Përnime” ka folur edhe për punësimet që janë bërë në kohën sa ishte në krye të kësaj ndërmarrjeje.

Haxha deklaroi se kërkesa për rritjen e numrit të punëtorëve kishte ardhur nga të ashtuquajturat drejtori të njësive, pasi këta të fundit kishin konstatuar se me rritjen e të hyrave ndërmarrjes i nevojiten edhe punëtorë shtesë.

Ai ka treguar për procedurat se si i kishin thënë se është praktikë të zgjidhen punëtorët. Sipas Haxhës, ai ishte shprehur kundër që të punësohen punëtorë me kontratë mbi vepër, por nuk kishte arritur që të fitonte shumicën.

“Kur kam ardhë unë në Telekom, punësimet kanë qenë të parapara me biznes-plan edhe unë jam ballafaqu me një punësim që është dashur të ndodhë, edhe na kemi mbajtë takime me menaxhmentin çdo javë. Edhe burimet njerëzore kanë ardhë, edhe drejtoritë e njësive, ata [drejtorët e njësive] e bijnë kërkesën që kemi nevojë për punësime se kompania ka filluar të rritet. Ateherë thash “qysh i bëni punësimet ju këtu?”, thanë: “I bëjmë një kategori – i shpallim konkurset, një kategori me kontratë mbi vepër”, thash unë nuk e preferoj me kontratë mbi vepër, edhe unë kam kërku që me qitë në votim që me kontratë mbi vepër mos me përkrah se nuk është metodë e punësimit kjo”, tha ai.

“Të gjithë kanë votu për, veç unë kam qenë kundër. Është hetu nga Policia. Konkurs sipas burimeve njerëzore për një kategori të kuadrove ka pasur konkurs të hapur, e për një kategori i kanë marrë me kontratë mbi vepër”, shtoi Haxha.

Haxha është pyetur edhe për punësimet e dy të afërmeve të tij – Fatbardha Halili dhe Egzona Halili, gratë e vëllëzërve të gruas së tij, të cilat ishin punësuar disa muaj pasi ky kishte marrë timonin e PTK-së.

Për këto punësime ai tha se nuk e di si kanë ndodhur, teksa topin e hodhi te drejtoritë e njësive.

“Nuk kam lidhje qysh kanë ardhë përmes drejtorive të njësive. Drejtorët e njësive cdo njeri që ata e kanë sjellë, unë kam me ekzekutu. As një vëlla i imi as një motër e imja nuk ka hy. Burimet njerëzore i kanë pasur procedurat e veta që unë nuk i kam përkrah mënyrën e punësimit me kontratë mbivepër”, u shpreh ai.

Ish-kryeshefi në këtë emision tha se kishte arritur që të mbante ‘rregull’ në ndërmarrje për të kontrolluar punëtorët.

“Jam i vetmi kryeshef ekzekutiv i cili menjëherë si kam ardhë, i kam detyru punëtorët me mbajtë bexhin edhe çdo kush që është evidentu nga njësitë apo nga stafi brenda që nuk ka ardhur në punë, ka dalë prej pune. Për mbi 50 vetë janë largu prej pune”, tha Haxha.

Kujtojmë se kryeshefja aktuale e Telekomit, Burbuqe Hana, në një intervistë në “Kallxo Përnime” kishte thënë se në vitin 2011 janë pranuar 1,000 punëtorë të rinj pa konkurs.

Të dhënat që KALLXO.com posedon tregojnë se 886 punëtorë më shumë janë shtuar në vitin 2011 krahasur me vitin 2008.