Deputetit Hidajet Hyseni i ngritet aktakuzë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Hidajet Hyseni pritet që shumë shpejtë të përballët me drejtësinë pas aktakuzës së ngritur ndaj tij nga Prokuroria e Prishtinës.

KALLXO.com ka mësuar se javën që lamë pas, ndaj tij është ngritur aktakuza për mos deklarim të pasurisë.

Lajmin për aktakuzën ndaj tij e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj.

“Lidhur me kallëzimin penal kundër H. H., iu njoftojmë se prokurori i çështjes, pas zhvillimit të hetimeve, më 07.10.2022, ka ngritur aktakuzë kundër H. H., në drejtim të veprës penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, e cila aktakuzë është proceduar për trajtim të mëtejmë në Gjykatën Themelore në Prishtinë”- thuhet në përgjigjen e Ulajt.

KALLXO.com ka provuar të marrë një qëndrim nga deputeti Hyseni, por i njëjti nuk është përgjigjur në thirrjet telefonike.

Për këtë vepër në rast se shpallet fajtor, deputeti i Kuvendit të Kosovës rrezikon të dënohet deri në 3 vite burgim.

Sipas ligjit ai pritet të ulët në bankën e të akuzuarit brenda 30 ditëve.

Akuzë e ngjashme u ngrit sot edhe ndaj një zyrtare të lartë shtetërore.

Edhe Ministrja e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari po akuzohet se nuk e ka deklaruar pasurinë në agjencinë kundër korrupsion.

Aktakuzë ndaj ministres Rozeta Hajdari për mosdeklarim të pasurisë