Nuredin Ibishi, Deputet i Kuvendit të Kosovës nga LDK

Deputeti i LDK-së: Edhe Thaçi Përgjegjës për Marrëveshjet me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, është gjetur në thumb të kritikave të opozitës dhe analistëve pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese se pjesë të marrëveshjes që ai nënshkroi në Bruksel për themelimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës shkelin Kushtetutën e vendit.

Por Nuredin Ibishi, deputet i Kuvendit të Kosovës nga LDK-ja e Mustafës, kërkon që problemi të shikohet më në histori.

Në një deklaratë për KALLXO.com, Ibishi ia kreditoi edhe Zëvendës Kryeministrit dhe kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi, përgjegjësinë për këtë marrëveshje, nënshkrimi i së cilës solli bllokadë politike brenda Kuvendit dhe trazira jashtë.

“Nëse duhet të kërkohet përgjegjësia, atëherë ajo duhet të kërkohet edhe nga Thaçi, për të gjitha ato marrëveshje. Unë po pretendoj që nëse kthehemi mbrapa, secila marrëveshje ka implikime të tilla… secila marrëveshje prek Kushtetutën e vendit në një formë”, tha Ibishi për KALLXO.com.

“Unë nuk mundem me e kritiku as Kryeministrin Mustafa, dhe askënd tjetër. Unë  e kritikoj sistemin”, tha Ibishi, i pyetur se a do të duhet që dikush të japë përgjegjësi pas verdiktit të Kushtetueses.

Por ai u shpreh se Kryeminsitrit Mustafa, në një mënyrë, i është imponuar marrëveshja dhe mënyra e tillë e nënshkrimit të saj.

“Ky totalizim është nga pushteti i kaluar, nga mandati i kaluar. Kështu ka qenë dhe z. Mustafa  vetëm po e vazhdon”, tha ai.

Ai madje akuzoi edhe mënyrën se si po trajtohen deputetët, karshi marrëveshjeve të mëdha të vendit.

Ai madje u ankua se Qeveria po i sjell deputetët para aktit të kryer, kur është fjala për votimin dhe diskutimin e marrëveshjeve me Serbinë, pasi që ato po janë të nënshkruara.

“Verdikti është nënshkruar, marrëveshja  është nënshkruar, dhe ne për çka po debatojmë… për çka po na voton populli”.

Ibishi tha se do të duhej që para çdo nënshkrimit të ketë një konsensus të brendshëm, dhe diskutim me të gjitha palët politike në vend.