Dënime me burg për vrasjen në restorant ‘Shega’

Besim e Besart Istrefi janë shpallur fajtor nga Gjykata e Prishtinës për vrasjen e Naim Gërvallës e Lutfi Saraçit  në restorantin “Shega”.

Besim Istrefi, u shpall fajtor dhe u dënua me 7 vite burg. Ai akuzohej nga Prokuroria për veprën penale vrasje e rëndë. Ndërsa Besart Istrefi u dënua me 5 vite e 4 muaj burgim për  veprën penale vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Por, Gjykata për dy të akuzuarit e ka ricilësuar akuzën nga vepër penale nga vrasje e rëndë në vrasje.

Jeton Saraçi është liruar nga të gjitha akuzat që i viheshin në barrë nga prokuroria. Saraqi akuzohej për veprat penale vrasje në tentativë, armëmbajtje pa leje dhe falsifikim të dokumenteve.

Gjykata poashtu të akuzuarve Besim e Besart Istrefi mori vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, të datës 10 mars 2015, ngjarja kishte ndodhur në restorant “Shega” në Milloshevë të Obiliqit më 2 maj të vitit 2014, ku pas një mosmarrëveshje të çastit ishin vrarë Naim Gërvalla e Lutfi Saraçi, ndërsa kishin mbetur të plagosur rëndë tashmë të akuzuarit Besim e Besart Istrefi, pronar i këtij lokali dhe djali i tij.

Konflikti kishte nisur pasi kamerierët kishin filluar përgatitjet për mbylljen e restorantit, ndërsa i akuzuari Jeton Saraçi, i ulur në tavolinë me Adem Dautajn dhe tani të ndjerët Lutfi Saraçi e Nazim Gërvalla, sipas aktakuzës kishte bërë kërcënime me tone të larta ndaj kamerierëve, ku më pas kishte filluar konflikti në mes tyre dhe pronarëve Besim e Besart Istrefi, nga i cili ishin shkaktuar vrasjet dhe plagosja.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me rastin e vrasjes në restorant ‘Shega’.

Shkrimet mund t`i lexoni në këtë link:

https://kallxo.com/?s=shega